Sherri prej mesditës, Ferracakët shkuan në hotelin e Gocajve dhe ndodhi masakra
Detaje të reja zbardhen nga masakra në Velipojë, ku u vranë 4 njerëz, pas një sherri të nisur për vendosjen e shezlloneve në plazh.
Mes familjes Ferracaku dhe Gocaj kishte nisur një konflikt prej mesditës së djeshme, i cili degjeneroi më pas në përdorimin e armëve nga të dyja palët.
Mësohet se Kujtim Ferracaku, së bashku me të vëllanë e tij, Hasan Ferracaku, pronar të hoteli ‘Fantazia’, kishte shkuar pranë hotelit Gocaj pas sherrit te mesdites dhe duket se mes palëve tonet e konfliktit kanë qenë të nxehta, dhe më pas situata ka degjeneruar në përdorimin e armëve.
Viktima të këtij konflikti kanë mbetur shtetasit Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, Xhovani Gocaj, 25 vjeç, Edmond Gocaj, 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli, 20 vjeç.
Deklarata e drejtorit të Policisë: Shumë shpejtë do kemi të arrestuar
Lidhur me ngjarjen tronditëse ka reaguar edhe Drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj, i cili në një prononcim për mediat tha se shumë shpejt do të kemi të arrestuar.
“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj, ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shezlongëve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona. policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup ekspertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë”, tha ai.
Në vendngjarje kanë shkuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu, drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj, si dhe grupi hetimor me specialistët e drejtorisë së Policisë Shkodër.
Brahimaj deklaron se në këtë konflikt janë përdorur më shumë se një armë, ndërsa policia ka sekuestruar një pistoletë si provë materiale. Ndërkaq janë sekuestruar një numër kamerash nga vendngjarja, por kushtet e pamjeve kanë qenë të kufizuara për shkak të errësirës.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



