Shkarkime dhe emërime, ndryshime në zinxhirin e Infrastrukturës
Në prag të fundvitit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kaluar në një riorganizim të brendshëm, me lëvizje në nivelet drejtuese. Ami Kozeli dhe Besjan Kadiu nuk do të ushtrojnë më funksionin e zëvendësministrit në dikasterin e drejtuar nga Belinda Balluku, por kjo nuk shënon largimin e tyre nga strukturat shtetërore.
Të dy do të vijojnë angazhimin në role të tjera kyçe, brenda institucioneve që varen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ami Kozeli merr drejtimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, pas një periudhe mbi dyvjeçare në postin e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, detyrë që e mori në verën e vitit 2023.
Ndërkohë, Besjan Kadiu rikthehet në funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, një post me peshë të veçantë në administrimin e dikasterit. Ai kishte shërbyer vetëm prej pak kohësh si zëvendësministër, ndërsa tashmë zë vendin e liruar nga Viola Haxhiademi.
Edhe për Haxhiademin është përcaktuar një detyrë e re. Pas një angazhimi të gjatë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, fillimisht në kabinetin e ministres dhe më pas për disa vite në rolin e Sekretares së Përgjithshme, ajo kalon në krye të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Në këtë funksion, Haxhiademi zëvendëson Erald Elezin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



