Shkarkohet gjyqtari Agron Zhukri që i dha vulën Berishës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi gjyqtarin e Tiranës, Agron Zhukri.

Emri i Zhukrit u lakua në pranverën e vitit 2022 për shkak të shqyrtimit të konfliktit të brendshëm të Partisë Demokratike për logon e partisë dhe vulën duke ia dhënë vulen Sali Berishes.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit, gjyqtari Zhukri u shkarkua për mos justifikim të pasurisë.

Në seancën e dëgjimore që u mbjat më 17 prill Zhukri u ballafaqua me gjetjet për balanca negative në vlera të mëdha.

Komisioni konstatoi pamundësi financiare të familjes së gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri për krijimin e pasurive në masën e 93 milionë lekëve.

Seanca dëgjimore zgjati rreth 5 orë e gjysmë. Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar një pamundësi në shumën 21 milionë lekë për periudhën para vitit 2003 dhe 72 milionë lekë për vitet në vijim.

Pasuria

Më shumë se sa për vendime, Zhukri është lakuar për pasurinë. Në vitin 2003, gjyqtari deklaron një shtëpi të ndërtuar në vitet ’90 me vlerë 3 milionë lekë, kthyer më pas në ambiente zyre për biznesin e bashkëshortes, si agjenci udhëtimi dhe sigurimesh, me vlerë investimi 2 milionë lekë.

Nga viti 2006 deri në vitin 2018, bashkëshortja e gjyqtarit Rezarta Zhukri deklaron rreth 2 milionë USD të ardhura nga biznesi i agjencisë së udhëtimit dhe sigurimeve.

Nëse në vitet 2003, 2004 dhe 2005, të ardhurat e bashkëshortes Rezarta Zhukri janë të papërfillshme, befas në vitin 2006 deklaron 130 mijë euro të ardhura, në vitin 2007 deklaron 65 mijë euro, në vitin 2008 rreth 75 mijë euro, në 2009 rreth 32 mijë euro, në 2010 deklaron 5.8 milionë lekë, 7.1 milionë lekë në 2011, 8.5 milionë lekë në 2012 dhe 8 milionë në 2013.

Në vitin 2014, Rezarta Zhukri deklaron 19.8 milionë lekë ose rreth 200 mijë USD të ardhura, 10 milionë lekë në 2015 dhe 11 milionë lekë në 2016.

Në 2017 deklaron 49 895 099 ose rreth 500 mijë USD dhe rreth 420 mijë USD në vitin 2018.Në vitin 2006, gjyqtari deklaron blerjen e dy apartamente me vlerë 280 mijë euro si dhe një makinë Volsvagen Classic me vlerë 43 mijë euro, makinë kjo për bashkëshorten.

Në vitin 2006, deklarohet edhe shitja një apartamenti ndërtuar mbi truallin e familjes, me vlerë 30 mijë euro, si dhe 30 mijë euro të ardhura nga investimi në ndërtim.

Ndërkaq, dy apartamentet i jep me qira, ku deklaron deri në 21 mijë euro të ardhura në vit. Por, nga ana tjetër, deri në 13 mijë euro në vit i shpenzojnë për shkollimin e djalit.Në vitin 2017 gjyqtari Agron Zhukri deklaron një kontratë si përfitues i një sipërfaqeje ndërtimi si pronar i truallit ku po ndërtohet një pallat.

Në vitin 2018, deklaron rreth 48 mijë USD nga qiratë, rreth 15 mijë USD pagën e bashkëshortes përveç 420 mijë USD të ardhura nga biznesi, rreth 16 mijë USD të ardhura nga aktiviteti privat i djalit, si dhe pagën e tij si gjyqtar 1.3 milionë lekë ose rreth 13 mijë USD.

Publikuar nga Publik Media