Shkoi për qitje, klienti vetëvr*tet në poligonin e Emiljano Dushës
Action Target, në pronësi të ortakut të shtetit në KAYO dhe Guna Tactical
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot pasdite kryeqytetin. Rreth orës 13:30, në poligonin e qitjes “Action Target”, në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë, ka humbur jetën 35-vjeçari Bledi Hasani, i cili dyshohet se është vetëvrarë gjatë ushtrimeve me armë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit:
“Rreth orës 13:30, brenda një poligoni në rrugën ‘Dervish Hima’, dyshohet se është vetëvrarë me armën e zjarrit me të cilën po kryente qitje, shtetasi B. H., 35 vjeç. Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me grupin hetimor, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të rastit.”
Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të poligonit “Action Target”, një strukturë private në pronësi të biznesmenit Emiljano Dusha.
Kush është Emiljano Dusha?
Emiljano Dusha është një emër i njohur në botën e bizneseve të sigurisë dhe mbrojtjes. Ai është pronari i kompanisë MSSC, e cila zotëron 49% të aksioneve të “Guna Tactical”, ndërsa 51% i përkasin ndërmarrjes shtetërore “KAYO sh.a.” — kompani e krijuar për zhvillimin e projekteve në fushën e mbrojtjes dhe prodhimit të municioneve.
Ky partneritet publik-privat është bërë objekt debatesh për mungesë transparence në mënyrën se si MSSC u zgjodh si ortak i shtetit. Projekte të kësaj natyre, që përfshijnë prodhimin e municioneve dhe uniformave ushtarake, kanë ngritur shqetësime për favorizime dhe lidhje të dyshimta mes biznesit privat dhe strukturave shtetërore.
Ndërkohë, policia po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike në poligonin “Action Target”. Burime nga hetimi nuk përjashtojnë asnjë pistë, ndërsa pritet ekspertiza balistike dhe ekzaminimi i kamerave të sigurisë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje apo për një incident të ndodhur gjatë qitjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



