E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shkullaku: Drama e Edi Ramës është bilanci skandaloz i qeverisjes
Publik News

Shkullaku: Drama e Edi Ramës është bilanci skandaloz i qeverisjes

Analisti Armand Shkullaku, në një opinion të publikuar në Lapsi.al, shkruan se drama e Edi Ramës është bilanci skandaloz i qeverisjes.

Ai shkruan se asnjë qeveri nuk ka qenë në këtë gjendje përpara zgjedhjeve.

Madje aq e rëndë është situata, sa as mbështetësit mediatikë nuk e mbrojnë dot në këtë drejtim.

“Tre muaj para zgjedhjeve dhe me dy mandate në krye të vendit, drama e Edi Ramës është bilanci i qeverisjes. Asnjë qeveri para tij, nuk ka qenë në këtë gjendje para zgjedhjeve. Vendet e punës, ulja e varfërisë, rritja e rrogave dhe pensioneve, shëndetësia falas, investimet e huaja, ndihma për familjet në nevojë, zbutja e pabarazisë, shtimi i buxhetit për arsimin e sektorë të tjerë, hapja e negociatave që në vitin e parë të qeverisjes, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit, janë të gjitha premtime të pambajtura. Në kontrast me to, thellimi i varfërisë, kriza e sistemit shëndetësor e arsimor, emigrimi masiv, bllokimi i negociatave, depërtimi i kriminelëve deri në nivelet më të larta të shtetit, korrupsioni i shpërfaqur në dhjetëra skandale, asnjë investim i huaj i qenësishëm madje dhjetëra miliona euro që po u paguhen nga taksat e shqiptarëve investitorëve të huaj, tendera e koncensione nga inceneratorët e deri tek shërbimet në spitale që po përpijnë pjesë të rëndësishme të buxhetit, është tabloja e një qeverisje, për të cilën Edi Rama ka marrë përsipër misionin e pamundur ta shesë duke e ngjyer me bojëra të tjera.

Aq eklatant është dështimi i 8-vjeçarit Rama sa edhe mbështetësit e tij mediatikë më lëkurëpandjeshëm, e kanë të pamundur ta mbrojnë publikisht. Thuajse asnjë prej tyre nuk avokon dot në publik ndonjë të arritur të qeverisë, duke e mbushur këtë boshllëk me sulmin ndaj opozitës, si e vetmja arsye që kryerilindasi të mbetet në pushtet,” shkruan ai.

“Edi Rama del nëpër Shqipëri dhe sulmon për shembull rrugët e bëra nga qeveria para tij. Dhe kur do të tregojë ndonjë kilometër që ka bërë në 8 vite, ato ose i shemben ose i përmbyten pa mbaruar ende turi i propagandës. Kryeministri nxjerr ministrat në terren me kaska në kokë për të shpalosur ditën planet 3D të zhvillimit, natën ata u shfaqen qytetarëve në gostitë e kripura të Nusret Beut. Lideri thotë se do i shpëtojë shqiptarët nga Covid sepse falë tij u sigurua vaksina dhe krejt procesi i vihet në dyshim nga një valixhe me 900 copë që s’dihet nga kanë ardhur e si kanë ardhur. Ai bën spektakël në stadium e premton qindra mijëra vaksina, por ndërkohë në 8 ditë arrijnë të vaksinohen vetëm 447 mjekë dhe sasia që premtoi se do t’i vinte në gjysmën e parë të janarit ende nuk ka mbërritur. Flet se do të vinë investime të mëdha të huaja, ndërsa mbërrijnë vetëm faturat e arbitrazhit me miliona që duhet t’u paguajmë ne të huajve. Lë të kuptohet se do pajtojë Greqinë me Turqinë dhe ngel në klasë tri herë rresht me negociatat. U tregon shqiptarëve se falë tij ata po hedhin valle në gojë të ujkut, por e nxjerrin zbuluar reagimet e BE dhe Francës.

Një këshilltar i mirë, jo nga ata që i mbushin mendjen se po shkëlqen me manipulimet e tij, do të duhej t’i sugjeronte kryeministrit se kur nuk ke bërë asgjë, më mirë është të vazhdosh të mos bësh asgjë. Përndryshe, këto tre muaj është e garantuar që do shohim e do dëgjojmë bllofe e skandale të tjera”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.