Shpërthim i fuqishëm në fabrikën e municioneve në Itali
Një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga një zjarr, ka përfshirë sot një pjesë të ambienteve të ish-fabrikës Simmel Difesa, e cila aktualisht është në pronësi të kompanisë KNDS Ammo Italy, në Colleferro, në provincën e Romës.
Ngjarja është regjistruar në zonën industriale të Quarto Chilometro, përgjatë rrugës Latina, në aksin mes Colleferros dhe Artenës.
Sipas të dhënave paraprake nga ekipet e emergjencës, nga shpërthimi nuk raportohet të ketë persona të plagosur. Të 24 punëtorët që ndodheshin brenda kompleksit në momentin e incidentit kanë dalë të sigurt nga zona.
Dyshohet se zjarri dhe shpërthimi kanë prekur vetëm një pjesë të impiantit, i cili është i fokusuar në prodhimin dhe magazinimin e municioneve dhe materialeve shpërthyese. Nga informacionet e para, incidenti mund të ketë nisur në sektorin ku kryhet presimi i barutit.
Në vendngjarje janë angazhuar disa skuadra zjarrfikësish, ndërsa edhe karabinierët kanë mbërritur në zonë për të garantuar sigurinë dhe për të mbështetur operacionet. Për shkak të natyrës së impiantit dhe rrezikut të mundshëm nga materialet e pranishme, ndërhyrja po zhvillohet me masa të shtuara sigurie, ndërsa ekipet po përpiqen të pengojnë përhapjen e flakëve në pjesët e tjera të kompleksit.
KNDS Ammo Italy është një kompani e specializuar në prodhimin e municioneve të kalibrave të mesëm dhe të mëdhenj për përdorime në sistemet e mbrojtjes tokësore dhe detare. Aktiviteti i saj përfshin gjithashtu prodhimin e lëndëve djegëse të ngurta që përdoren në sektorin hapësinor.
Ndërkohë, Prokuroria e Velletrit ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e incidentit. Prokurori Carlo Villani ka hapur një procedurë hetimore, ndërsa në këtë fazë vepra që po shqyrtohet është ajo e “zjarrit”.
Zjarri vijon të jetë aktiv dhe autoritetet po kryejnë kontrolle në terren për të përcaktuar me saktësi se çfarë shkaktoi shpërthimin dhe nëse incidenti ka ardhur si pasojë e një defekti teknik apo e ndonjë rrethane tjetër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



