Shpërthim me lëndë plasëse në portën e një banese në Tiranë
Një shpërthim është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në Bathore të Kamzës, ku një sasi e dyshuar lënde plasëse është vendosur në hyrje të një banese.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:35, në rrugën “Rozafa”. Sipas të dhënave paraprake, objekti ku është vendosur lënda plasëse është në pronësi të një 36-vjeçari, me inicialet M. L.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale në banesë, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e incidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e rrethanave dhe mbledhjen e provave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar rrethanat dhe motivet e vendosjes së lëndës së dyshuar plasëse, ndërsa vijojnë përpjekjet për identifikimin dhe kapjen e personit ose personave përgjegjës.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë të ditura të tjera detaje lidhur me ngjarjen. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e shpërthimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



