Shpiragu, qeveria dhe qatipët demode

Nga Klodian Tomorri

Qarkullon një anektodë, e cila ndonëse duket banale në pamje të parë, ka një fabul domethënëse. Fëmija pyet një ditë të atin; cili është ndryshimi mes teorisë dhe praktikës? Fillimisht babai nuk po dinte si t’ia shpjegonte djalit ndryshimin, por më pas i erdhi një ide.

‘Shiko- i tha të birit- shko pyet një herë mamin dhe motrën nëse do të flinin me dikë për 1 milionë dollarë’. Pasi i pyeti, djali kthehet sërish. ‘I pyeta bab. Të dyja u përgjigjën po,’ thotë djali.

‘Ky është ndryshimi bir- ja kthen i ati-. Teorikisht kemi 2 milionë dollarë si familje, por praktikisht kemi dy …. në shtëpi’

Në përpjekje për të përgënjeshtruar lajmin se zbulimi i naftës në Shpirag dështoi, ministria e Energjisë u tregoi shqiptarëve këtë të hënë një anektodë të ngjashme. Në vija të përgjithshme deklarata e ministrisë ishte kjo; ‘Në Shpirag është zbuluar naftë. Por tani na duhet të zbulojmë teknologjinë për ta nxjerrë naftën.

Me pak fjalë, teorikisht Shqipëria ka zbuluar naftë. Praktikisht ka një kryeministër dhe një zv/kryeministre, të cilët tregojnë barsaleta me fonde sovrane dhe lumenj parash, që nuk i përballon dot buxheti i shtetit. Kjo ishte për pjesën e dezinformatorëve cinikë, të cilët sipas ministrisë së energjisë, përpiqen të bëjnë politikë partiake në këtë proces me interes kombëtar. Tani detajet.

Në deklaratë ministria thotë shprehimisht ‘Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.’

E para, në industrinë e kërkimit nuk ekziston termi ‘depozitë’. Ka vendburim me rezerva, por jo depozitë me rezerva. Dhe ky nuk është një lapsus apo gabim nga padituria. Fjalia është shkuar qëllimisht ashtu për të përgënjeshtruar pa përgënjeshtruar.

Së dyti, togfjalëshi ‘225 milionë barela rezervë nafte’ po ashtu nuk tregon asgjë. Pas fjalës rezervë duhet të ketë një tjetër përcaktor. Rezervë potenciale, rezervë e rekuperueshme, rezervë e provuar, rezervë e mundshme, rezervë gjeologjike etj. Të gjithë këta janë koncepte shumë të ndryshme nga njëri tjetri.

Për shembull, vendburimi i Patos-Marinzës ka rezervë gjeologjike gati 8 miliardë fuçi nafte, ose rreth 40 herë më shumë se zbulimi i ‘madh’ i Shpiragut, i cili do të impaktonte Europën. Por nga kjo, rezerva e rekuperueshme është më pak se 200 milionë fuçi.

Së treti, qeveria dhe ministria e Energjisë e kanë shumë të lehtë të përgënjeshtrojnë dezinformatorët cinikë, pa patur nevojë të bëjnë deklarata me gafa amatorësh. Mjafton të na thonë sa para ka mbledhur deri më tani Fondi Sovran i Shpiragut dhe sa parashikohet të mbledhë vitin tjetër. Nga këto sa para do të jepen për rritjen e pensioneve dhe sa për të impaktuar arsimin, shëndetësinë, mirëqënien e fëmijëve e kështu me radhë, siç pati thënë kryeministri dhe ministrja e energjisë. Kaq e thjeshtë është.

Në fund, një fjali edhe për qatipët mediatikë në bukë të qeverisë. Të hash bukën e qeverisë është sakaq e sikletshme. Por të lëpish edhe gjëra të tjera përveç kores është torturë.

Lëre më pastaj të përpiqesh të luash Moxartin, kur klarinetën e ke mësuar me vesh. ‘Well-write offs’ nuk është punë qatipësh.

Publikuar nga Publik Media