Shqipëria e para në Europë me identitet digjital
Por pa ujë, pa rrugë dhe pa turp!
Naim Noka | Opinion| Publik.al
Në një vend ku 10 minuta shi mjaftojnë për ta kthyer çdo qytet në pishinë, ku uji në rubinet del me orar, ku trafiku në Tiranë të ha tre orë nga jeta çdo ditë, dhe ku mijëra shqiptarë i mbajnë fëmijët me bukë e sheqer nga mëngjesi në darkë, qeveria ka vendosur të shpallë “kapërcimin e madh të shekullit”: Inteligjencën Artificiale.
Po, tek ajo “inteligjenca” që mungon prej vitesh në qeverisje, por që tani do të vijë “në formë të re”, artificiale si gjithçka tjetër që na kanë servirur për 13 vjet rresht.
Pas “suksesit” spektakolar me Ministren e AI-së Dillën që askush s’e ka parë, s’e ka dëgjuar, dhe ekziston vetëm në “cloud” Rama vendosi të prezantojë projektin më të ri: Identitetin Digjital.
Një “revolucion” që, sipas tij, do të na çojë një vit përpara Bashkimit Europian.
Një deklaratë që do të ishte qesharake, po të mos ishte tragjike.
Sepse si mund të jemi “përpara Europës” kur:
qytetarët shkruajnë emrin në fletë për t’u futur te mjeku;
spitalet janë magazina dhimbjesh;
arsimtarët ikin në emigracion;
dhe faturat e dritave janë më të larta se pensionet?
Në këtë Shqipëri të “modernizuar”, AI nuk do të thotë “Artificial Intelligence” por “Absurditet Institucional”.
Në çdo prezantim qeveritar ndizen dritat, projektorët, LED-et, dhe shfaqen pamje futuriste të një vendi që nuk ekziston.
Shqipëria reale, ajo jashtë sallave të Ramës, është e mbuluar me lagështi, me baltë, me borxhe, me turp.
Ndërsa Rama flet për “kapërcim teknologjik”, fshatra të tërë janë ende pa ujë, pa kanalizime dhe pa punë.
Ndërsa ai lavdëron “identitetin digjital”, qindra familje nuk kanë identitet financiar, sepse banka ua mbyll llogarinë për mungesë të ardhurash.
Në vend të serverëve, kemi soba druri.
Në vend të “datacenter”-ave, kemi shtëpi që digjen nga varfëria.
Në vend të “qytetarëve dixhitalë”, kemi njerëz që mezi sigurojnë bukën e ditës.
Rruga drejt Europës… me gomone
Kryeministri flet për “rrugën drejt Europës”, por shqiptarët janë duke shkuar në Europë me gomone, jo me identitet digjital.
Sepse për ta, BE nuk është një “projekt politik”, por një arratisje personale.
Një mënyrë për t’i shpëtuar një sistemi që i trajton si të tepërt në tokën e tyre.
Në vitin kur Rama krenohet se “jemi një hap përpara BE-së”,
rreth 60 mijë shqiptarë janë larguar.
Mjekët, mësuesit, inxhinierët, infermierët të gjithë ata që kanë inteligjencë reale, jo artificiale.
Rruga drejt Europës, me sobë druri dhe vajguri
Ndërsa Tirana shpall “integrimin digjital”, në Maliq një nënë dhe dy fëmijë u dogjën brenda shtëpisë së tyre.
Rrahime Hazisllari, 38 vjeç, dhe djali i saj Luka, 13 vjeç, humbën jetën mes flakëve të një sobe druri e vetmja mënyrë për t’u ngrohur në Shqipërinë që “po futet në Europë”.
Vogëlushja 6-vjeçare, që një ditë më parë kishte festuar ditëlindjen, po lufton për jetën në Pediatrinë e Tiranës.
Në oborrin e shtëpisë mbetën të zeza muret, dyshemeja e shkrumbuar dhe një sistem i kalbur shtetëror që nuk ngroh dot askënd, përveç vetes.
Zjarrfikësja arriti vonë. Ashtu si gjithmonë.
Në vendin ku për çdo katastrofë shkohet me vonesë, por për çdo propagandë arrihet me helikopter.
Në dysheme u gjetën shkrepse, një dyshek sfungjeri dhe një sobë druri, tri objekte që flasin më shumë për realitetin shqiptar se të gjitha raportet e Bankës Botërore bashkë.
Shqipëria e fundit që pretendon të jetë e para
Në vendin ku drejtësia është show, parlamentarët janë biznesmenë, dhe akuzat kthehen në meme, fjalët “identitet digjital” tingëllojnë si tallje.
Ç’kuptim ka “identiteti digjital” kur njeriu real s’ka identitet dinjitoz?

Kur një qytetar që s’ka 500 lekë për dritat, s’mund të ketë “account” në platformën e shtetit?
Shqipëria nuk është një vend që po digjitalizohet.
Shqipëria është një vend që po digjet, ngadalë nga korrupsioni, nga papërgjegjshmëria, nga arroganca.
Fjalët nuk ngrohin
Rrahime Hazisllari nuk vdiq nga tymi.
Ajo vdiq nga harresa.
Nga një shtet që nuk di të ngrohë ndryshe, veçse me fjalë.
Nga një qeveri që kujton se “AI” do të shpëtojë atë që nuk e shpëton më as ndërgjegjja.
Në fund të fundit,
Shqipëria e Edi Ramës mund të ketë “identitet digjital”, por ajo nuk ka më fytyrë reale.
Një vend që është bërë karikaturë e vetes, që eksporton njerëz dhe importon slogane,
që nuk di të qajë më, vetëm të klikojë “Like” kur digjet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



