Shqipëria si sulltanat i Ramës dhe pashallëku opozitar i Berishës
2025 – viti kur opozita u shemb pa ndjenja….
Naim Noka
Ka vite që shënojnë kthesa. Ka të tjerë që shënojnë rënie.
Viti 2025 do të mbahet mend si viti i katastrofës për opozitën shqiptare, ndërsa pushteti personal i Gysit, Belës dhe Pashait triumfoi përballë pashallëkut opozitar të Berishës.
Jo për shkak të forcës së pushtetit, por për shkak të dobësisë së atyre që duhej ta sfidonin. Në një vit kur korrupsioni ulërinte dhe u bë më i dukshëm se kurrë, kur aferat dhe skandalet publike u trashën dhe institucionet praktikisht drejtoheshin nga Agasi dhe grupet kriminale, opozita nuk arriti të shndërrohej në një alternativë të besueshme. Ajo u shfaq e përçarë, e izoluar dhe e paaftë për të udhëhequr shpresën e popullit më të vjedhur dhe më të varfër të Europës.
Ndërkohë që figura të opozitës politike ishin të pranishme në Uashington, Londër, Paris e Berlin, drejtuesi aktual i opozitës, Sali Berisha, mbeti i mbyllur brenda kufijve. Ky izolim nuk është personal, por politik. Është një mesazh i qartë se një opozitë pa besueshmëri nuk mund të jetë partnere e botës demokratike.
Premtimi ishte rrëzimi i Edi Ramës. Rezultati doli i kundërt: Rama u bë më shumë se kryeministër, u bë Sulltan. Dhe kjo nuk ndodhi sepse pushteti i korruptuar deri në deje u bë i pathyeshëm, por sepse opozita humbi funksionin e saj thelbësor: të jetë kontroll, balancë dhe alternativë.
Për vite me radhë, përgjegjësia për humbjet iu faturua Lulzim Bashës, të cilin vetë Berisha e kishte vendosur si “djalin e besuar”. Por faktet tregojnë diçka tjetër: nën drejtimin aktual, opozita ka njohur humbjet më të rënda në historinë e saj politike, duke kulmuar në vitin 2025 me një krizë të thellë përfaqësimi.
Në vend që të ndërtohej një strategji e qartë jo vetëm për demokratët, por edhe për elektoratin gri, u zgjodh lufta e brendshme dhe mbrojtja personale.
Në këtë proces, Partia Demokratike pushoi së qeni instrument politik dhe u shndërrua në mburojë. Jo për interesin publik, por për interesa individuale. Dhuna, presioni dhe degradimi institucional nuk ishin aksidente; ishin pasojë logjike e një modeli drejtimi që e sheh partinë si pronë dhe jo si përgjegjësi publike.
Por këtu qëndron një e vërtetë që shpesh anashkalohet:
opozita nuk është luks politik. Ajo është organ jetik i demokracisë.
Pa opozitë reale, pushteti nuk kontrollohet. Pa opozitë të fortë, korrupsioni bëhet sistem. Pa opozitë funksionale, edhe socialistët e ndershëm ata që e duan këtë vend dhe nuk përfaqësohen nga klientelizmi mbeten pa zë dhe pa mbrojtje.
Një opozitë e shëndetshme nuk i shërben vetëm kundërshtarëve të qeverisë. Ajo i shërben vendit. I shërben institucioneve. I shërben edhe vetë Partisë Socialiste, sepse vetëm përballë një opozite të fortë mund të ketë përgjegjësi, vetëpërmbajtje dhe kufizim të pushtetit.
Sot, largimi i qytetarëve nga opozita nuk është akt indiference, por alarm demokratik. Ata nuk largohen sepse nuk besojnë më te ndryshimi, por sepse nuk e shohin më opozitën si mjet për ta realizuar atë.
Problemi nuk është një figurë apo një emër. Problemi është modeli. Një model që prodhon humbje, izolim dhe shërbim indirekt ndaj pushtetit.
Pa një ndarje të qartë nga ky model, opozita do të vazhdojë të rrëshqasë. Dhe bashkë me të, do të rrëshqasë edhe vetë demokracia shqiptare.
Sepse një vend pa opozitë nuk është i fortë. Është i pambrojtur, pa demokraci dhe pa të ardhme. Nëse Edi Rama po përpëlitet drejt një mandati të katërt dhe e ka kthyer vendin në sulltanatin e tij dhe të “Belindave”, Berisha po mjaftohet me pashallëkun e opozitës, mjafton të jetë vetë deri në fund “kundërshtari” i Sulltanit që uli në gjunjë shtetin mbi 113-vjeçar të këtij kombi plot sakrifica.
Populli dhe shoqëria kanë rënë në një gjumë të thellë…
Çfarë fataliteti.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



