Shqipërisë po i ikin edhe veterinerët
Emigracioni në Shqipëri gjatë dekadës së fundit është kthyer në fenomen mjaft shqetësues, pasi shumë qarqe të vendit kanë pasur ulje të ndjeshme të popullsisë së tyre. E gjithë kjo për shkak të ikjes së të rinjve që kanë boshatisur vendin, dhe kanë kërkuar shpresën në Evropë dhe vendet perëndimore. Ikja e tyre ka sjellë mungesa të fuqisë punëtore në shumë sektorë të ekonomisë dhe jetës. Një ndër ta është shëndetësia!
Tashmë vendi përveç mungesës së mjekëve për njerëzit, është duke vuajtur edhe mungesën e veterinerëve për kafshët. Aktualisht në Shqipëri numërohen 1 120 mjekë veterinarë, prej të cilëve deri më tani 800 janë anëtarë të urdhrit veterinar. Nevoja e vendit për këta mjekë është më e lartë, pasi për të plotësuar kuotat duhet të paktën 2 000 “bluza të bardha”. Pagesa e veterinerëve varijon 60 deri në 78 mijë lekë të reja në muaj, shifër kjo e pamjaftueshme për të përballuar jetesën familjare.
Marrja e masave për rritjen e pagës së tyre, përmirësimin e kushteve të punës, mbështetjes me anë të kredive të buta ose bonuseve për vështirësinë në punë, shihen si disa politika ekonomike që mund të aplikohen për të frenuar ikjen e veterinerëve nga vendi.
Pas studimeve, nxënësit e veterinarisë zgjedhin të largohen jashtë vendit, pasi aty përfitojnë njohjen e diplomës dhe nuk u kërkohet që të bëjnë shkollim shtesë. Në këtë mënyrë nëse nuk merren masat e nevojshme, shumë shpejt profesioni i veterinerit në vendin tonë do të konsiderohet i harruar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



