E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shqiponjat triumfojnë në Leskovac, fitorja jehonë në mediat e huaja
Lajme

Shqiponjat triumfojnë në Leskovac, fitorja jehonë në mediat e huaja

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka shënuar një fitore historike kundër Serbisë me rezultatin 0-1, në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Ndeshja u zhvillua në qytetin jugor të Serbisë, Leskovac, dhe u vendos nga një gol i Ray Manajt në minutën e parë të shtesës së pjesës së parë.

Fitorja e kuqezinjve ka tërhequr vëmendjen e gjerë të mediave ndërkombëtare, që kanë raportuar jo vetëm për rezultatin, por edhe për jehonën që ka pasur brenda dy vendeve.

AFP: Dorëheqja e Stojkoviç pas humbjes “që nuk duhej të kishte ndodhur”

Agjencia franceze e lajmeve AFP njoftoi dorëheqjen e trajnerit të kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, menjëherë pas humbjes:

“Kjo humbje nuk duhej të kishte ndodhur dhe unë pranoj përgjegjësinë për të. Jam këtu për t’u përballur me pasojat”, tha Stojkoviç në një konferencë për shtyp.

“Rezultati ishte shumë i keq, nuk e prisja”, u ankua ai, duke shtuar se kishte paraqitur dorëheqjen e tij Federatës Serbe të Futbollit: “Nuk do të shkoj në Andorra për të udhëhequr ekipin në ndeshjen e ardhshme kualifikuese.”

Stojkoviç, i njohur ndryshe si “Piksi”, ka qenë në krye të kombëtares që prej vitit 2021.

ANSA: Festë në Shqipëri dhe emocion i dyfishtë

Agjencia italiane ANSA raportoi për atmosferën festive në Shqipëri pas fitores:

“Shpërthyen festime në Shqipëri pas fitores 1-0 të ekipit të tyre kombëtar të futbollit ndaj Serbisë… Mijëra tifozë mbushën sheshet në të gjithë vendin, duke valëvitur flamurin kombëtar, duke kënduar dhe kërcyer, mes tingujve të borive të makinave.”

Përtej aspektit sportiv, fitorja mori edhe një kuptim emocional për shqiptarët:

“Për shqiptarët, fitorja e sonte ka një rëndësi të dyfishtë… shqiptarët po e shijojnë veçanërisht hakmarrjen kundër ekipit kombëtar të një vendi me të cilin kanë ndarë një histori të gjatë dhe të mbushur me konflikte.”

TANJUG: Manaj trondit Serbinë në kohë shtesë

Agjencia shtetërore serbe TANJUG u përqendrua në detajet teknike të ndeshjes, duke theksuar:

“Kombëtarja e futbollit të Serbisë u mposht sonte nga Shqipëria në Leskovac me rezultatin 0-1… Goli i vetëm u shënua nga Ray Manaj në minutën e 45+2.”

TANJUG theksoi gjithashtu se:

“Ky futbollist nuk e shfrytëzoi penalltinë për Shqipërinë në duelin midis dy ekipeve në Tiranë dhe e festoi golin me simbolin e shqiponjës.”

Dushan Vlahoviç humbi dy raste të mira për Serbinë, ndërsa për Shqipërinë, Nedim Bajrami pati një mundësi të artë për të dyfishuar rezultatin. Serbia tani mbetet në vendin e tretë me shtatë pikë, katër më pak se Shqipëria, dhe përballet me një betejë të vështirë për vendin e dytë.

Vijesti (Mali i Zi): Shqipëria “çudit” Serbinë

Gazeta malazeze Vijesti thekson momentin vendimtar të ndeshjes dhe pasojat për Serbinë:

“’Shqipëria çudit’, shkruan gazeta… Manaj tronditi Serbinë (0-1), në momentet e fundit të pjesës së parë, dhe serbët do të duhet të mposhtin Anglinë në ‘Wembley’ nëse duan të qëndrojnë në garë për vendin e dytë.”

Shkrimi nënvizon gjithashtu se:

“Shqipëria ka një avantazh prej katër pikësh ndaj Serbisë… Një fitore në Andorra muajin e ardhshëm mund t’i çojë shqiptarët në fazën eliminatore.”

Gazeta komenton edhe zgjedhjen e stadiumit “Duboçica” me vetëm 4 000 spektatorë të pranishëm, për shkak të penalizimeve nga UEFA dhe protestave të mëparshme kundër regjimit serb dhe trajnerit.

“Himni shqiptar u fishkëllye para fillimit të ndeshjes… Një fitore e merituar për Shqipërinë, megjithëse Serbia ishte më e rrezikshme në gjysmën e parë të ndeshjes. Pasi morën epërsinë, shqiptarët morën kontrollin dhe e ruajtën epërsinë e tyre pa probleme të mëdha.”

B92: “Humbje e dhimbshme” dhe debutime të diskutueshme

Media serbe B92 e përshkroi rezultatin si:

“Një humbje e dhimbshme.”

Duke theksuar pasojat në renditje, B92 shkruan:

“Skuadra e Serbisë mbeti edhe më prapa në garën për vendin e dytë… edhe me një fitore ndaj Andorrës pas tre ditësh, fati i ‘Shqiponjave’ nuk është më në duart e tyre.”

Media vë në dukje se trajneri Stojkoviç vendosi të aktivizojë dy debutues në një ndeshje vendimtare — Veljko Milosavljeviç dhe Aleksandar Stankoviç:

“Ky i fundit bëri paraqitjen e tij të parë për ekipin kombëtar në të njëjtën datë që babai i tij, Dejan, luajti ndeshjen e tij të fundit — saktësisht 12 vjet më parë.”

Fitorja e Shqipërisë kundër Serbisë nuk ka qenë vetëm një rezultat i rëndësishëm për renditjen në grup, por një ngjarje me ndikim të madh në opinionin publik, si në Shqipëri, ashtu edhe në rajon. Emocioni, tensioni dhe pasojat në nivel sportiv dhe simbolik janë reflektuar gjerësisht në mediat ndërkombëtare dhe rajonale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.