VIDEO/ 2 gola për 4 minuta, Rey Manaj fenomenal në Turqi
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka gjetur menjëherë rrugën e rrjetës në rikthimin e tij me Sivasspor, duke realizuar dy gola në sfidën e vlefshme për javën e 25-të të Ligës së Parë turke.
Skuadra nga Sivas u përball në shtëpi me Vanspor, në një ndeshje që u dominua nga vendasit që në minutat e para. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-1, duke reflektuar epërsinë e qartë të Sivassporit në fushë.
Goli i parë i takimit erdhi që në minutën e tetë, kur mbrojtësi Appindangoye shfrytëzoi në maksimum një asist të saktë nga Valon Et’hemi, duke i dhënë avantazhin skuadrës vendase. Më pas ishte radha e Manajt që të linte gjurmë në ndeshje: sulmuesi shqiptar realizoi golin e dytë pas një tjetër bashkëpunimi të suksesshëm me Et’hemin.
Edhe pse miqtë reaguan përkohësisht duke ngushtuar diferencën me anë të Mamah, Manaj u rikthye sërish protagonist. Ai shënoi golin e tretë për Sivassporin nga një goditje dënimi e ekzekutuar saktë, duke vulosur një paraqitje shumë pozitive personale.
Rikthimi në futbollin turk pas gjashtë muajsh në Emiratet e Bashkuara Arabe duket se ka qenë vendimi i duhur për sulmuesin kuqezi. Forma e tij aktuale vjen në një moment të rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare, e cila përgatitet për sfidat vendimtare të play-off-it për Kupën e Botës 2026 në muajin mars.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



