Shqiptarët dënohen si terroristë, Rama hesht. – Nga Ergys Mërtiri
Ndërsa opinion publik mbarëshqiptar i ka drejtuar sytë këto ditë në gjyqin e zhvilluar për ngjarjet e dy viteve më parë në Kumanovë, Tirana zyrtare dhe Kryeministri Shqiptar hesht, duke mos i kushtuar aspak vëmendje. Gjykata ka marrë vendim për dënimin e 7 personave me burgim të përjetshëm, teksa për 26 të tjerë janë dhënë 746 vjet burg, gjë që i ka rritur tensionet.
Lajmet raportojnë për një situatë të ndezur në Shkup, ku ka pasur reagime të shumta nga shqiptarët, të cilët e konsiderojnë gjyqin të politizuar. Forca të shumta policore janë angazhuar, pasi i druhen trazirave, ndërkohë që në Gjilan raportohet se protestues të shumtë kanë djegur në mënyrë demonstrative flamurin maqedonas.
Reagime ka patur nga i gjithë faktori politik shqiptar në Maqedoni, por edhe Kosovë, ku Kryeministri Haradinaj, Presidenti Thaçi e të tjerë, kanë kërkuar një gjykim të drejtë dhe hetim ndërkombëtar. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Kosovës, Bexhet Pacolli ka thirrur për konsulta Ambasadorin e Kosovës në Maqedoni si dhe Ambasadorin e Maqedonisë në Kosovë.
Të gjithë kanë kërkuar hetim ndërkombëtar, i cili do të krijonte besueshmëri, në kushtet kur të dhëna të shumta tregojnë për përfshirje të zyrtarëve të lartë maqedonas dhe strukturave shtetërore në ngjarjet e para dy viteve, gjë që kompromenton procesin. Përveç faktorit shqiptar në Maqedoni e Kosovë, kjo kërkesë është mbrojtur edhe nga edhe nga vetë Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë Oliver Spasovski, i cili ka deklaruar disa ditë më parë se është i angazhuar të mundësojë një hetim ndërkombëtar për çështjen.
I vetmi që nuk e ka vënë ujin në zjarr në këtë situatë është Kryeministri Rama dhe qeveria e tij. Mesa duket ai nuk i ka në hesap shqiptarët e Maqedonisë dhe nuk e gjen të arsyeshme të bëjë qoftë edhe një lëvizje për të kërkuar derjtësi për ta. Ky është një rast flagrant papërgjegjshmërie e shtetit shqiptar që nuk përpiqet, të paktën për sy e faqe të tregojë dinjitetin që i takon. Ndërsa krijon incidente artificiale në Himarë, duke marrë poza patriotike, Rama nuk e prish terezinë të ulet e të shkruajë dy rreshta, qoftë edhe në facebook, për një ngjarje kaq të nxehtë dhe problematike.
Në fakt, gjithçka është në përputhje të plotë me harresën që kjo qeveri iu ka bërë, sistematikisht shqiptarëve të Maqedonisë. Gjatë zhvillimit të ngjarjeve që po gjykohen sot, qeveria shqiptare është mjaftuar me një reagim të thatë në facebook, megjithëse ngjarja la pas 10 shqiptarë të vrarë dhe 8 efektivë të forcave të sigurisë maqedonase.
Për turpin e qeverisë së tij, gjatë asaj kohe, shqiptarëve iu doli në krah qeveria greke, e cila reagoi me forcë, duke e vënë në siklet palën maqedonase. Pas cicërimave të tweeter-it të Kryeministrit Shqiptar, pati kërcënime dhe reagime të forta nga pala maqedonase, të cilat u kaluan me heshtje dhe bisht ndër shalë nga pala shqiptare, megjithëse, në fakt, duhet të ishte kjo e fundit që të ngrinte zërin e jo maqedonasit.
Gjithçka tregon se patriotizmi i qeverisë shqiptare ndalet deri tek selfijet qeveritare në mbledhje ceremoniale me qeverinë e Kosovës. Asgjë konkrete në realitet. Është e turpshme kur sheh të reagojë një shtet shumë i brishtë, i varur nga të tjerët e i pastabilizuar si Kosova, ndërsa “vendi amë” hesht kokëulur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



