Shqiptarët do japin nga xhepi 810 MILION € për oligarkët e Rilindjes

Buxheti i shtetit gjatë periudhës 2017-2024, ka paguar dhe pritet të paguajë me paratë e taksapaguesve shqiptarë rreth 86 miliardë lekë (810 milionë euro) për 12 kontrata koncesionare që qeveria u ka dhënë oligarkëve të saj.

Të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e kësaj shume, rreth 31 miliardë lekë (290 milionë euro), ose 36% e totalit ka shkuar dhe pritet të shkojë për katër koncesionet e shëndetësisë (sterilizimi, check up, laboratori, dializa).

Ndërkohë që rreth 28 miliardë lekë (206 milionë euro) janë për projektet e infrastrukturës (Rruga e Arbrit, mirëmbajtja e Orikum-Dukat, ndërtimi i shkollave në Tiranë etj).

Ndërsa rreth 14 miliardë lekë (135 milionë euro), ose gati 17% e totalit janë të destinuara për inceneratorët e Fierit, Elbasanit e Tiranës. Skanimi arrin për periudhën në fjalë 12.6 miliardë lekë (119 milionë euro), ose 14.6% e totalit.

Pjesën më të madhe të buxhetit e zë rruga e Arbrit, me 19.3 miliardë lekë për periudhën 2017-2024 e ndërtuar nga Rrok Gjoka.

Më pas renditet Inceneratori i Tiranës (7.9 miliardë lekë) dhënë Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit shtuar këtu edhe Inceneratorin e Fierit (4 miliardë lekë) dhe Inceneratorin e Elbasanit (2.4 miliardë lekë) në total 14.3 Miliard lekë.

Pas tij vjen projekti i sterilizimit, me rreth 13 miliardë lekë dhënë Sani Service të Ilir Rrapajt.

Ndiqet nga koncesioni i Skanimit për 12.6 miliardë lekë dhënë kompanisë S2 të Olti Peçinit.

Në radhë Koncesioni i Laboratorëve dhënë kompanisë Pegasus të Janis Karathanos (6.4 miliardë lekë);

Dializa (6 miliardë lekë) dhënë Spitalit Amerikan të Klodian Allajbeut.

Koncesioni i Check Up (5.8 miliardë lekë) dhënë Vilma Nushit.

Rruga Orikum-Dukat (2.1 miliardë lekë) ndërtuar nga kompania Gjikuria, Milo dhe Florenc Gjikuria.

Por pavarësisht kundërshtimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare për një analizë të kostove dhe përfitimeve, sot kjo analizë mungon dhe shumë prej projekteve janë nën hetim nga SPAK.

Kështu nga 12 koncesione që janë gjithsej, SPAK ka nisur hetimet për tre inceneratorët, checkup dhe sterilizimi pas akuzave për korrupsion, shpërdorim detyre e deri te pastrim parash, ndërsa ka nisur hetimi dhe për koncesionin e laboratorëve.

Shuma totale e dhënë dhe që pritet të jepet nga buxheti për këto gjashtë koncesione për periudhën 2017-2024 është rreth 40 miliardë lekë (rreth 380 milionë euro), që përbën 46% të pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet!!

Në projektbuxhetin e vitit 2024 parashikohet që pagesat për koncesionet të arrijnë 14.3 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe me rritje prej 9.3% në krahasim me pritshmërinë e 2023-it.

Publikuar nga Publik Media