Shtirej si shitës ambulant, si i ‘furnizonte’ të burgosurit punonjësi i burgut
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre persona, të dyshuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë futur lëndë narkotike në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Elbasan.
Personat për të cilët është kërkuar masa më e rëndë e sigurisë janë Ndricim Kroi, punonjës policie në IEVP Elbasan, Esmeralda Komici, familjare e një të paraburgosuri, si dhe Gerald Stamolla, i paraburgosur në këtë institucion.
Sipas të dhënave të administruara nga organi i akuzës, tre të dyshuarit kanë vepruar në koordinim me njëri-tjetrin për të futur lëndë narkotike brenda burgut, duke shfrytëzuar pozicionin zyrtar, lidhjet familjare dhe regjimin e brendshëm të institucionit, në shkelje të rëndë të ligjit dhe rregullave të sigurisë penitenciare.
Prokuroria bën me dije se, për të maskuar aktivitetin e tij të paligjshëm, punonjësi i burgut, gjatë orëve jashtë shërbimit, ushtronte aktivitet si shitës ambulant në qytetin e Elbasanit, ku tregtonte telefona të përdorur dhe sende të tjera me vlerë. Në këtë mënyrë, ai merrte porosi nga familjarë të të paraburgosurve, të cilat më pas i fuste brenda ambienteve të IEVP Elbasan. Nga verifikimet e kryera është konstatuar se, përveç sendeve të porositura, ai dyshohet se furnizonte të paraburgosurit edhe me lëndë narkotike. Shpërndarja dhe shitja e saj kryhej më pas nga vetë të paraburgosurit brenda regjimit të brendshëm të institucionit.
Sipas informacioneve të administruara nga Prokuroria, shtetasi N.K. e realizonte këtë veprimtari të kundërligjshme kryesisht gjatë turnit të tretë të shërbimit, si dhe gjatë ditëve të shtunë dhe të diel, periudha në të cilat në institucion mungon personeli i administratës.
Nga hetimet e thelluara dhe përgjimet e autorizuara nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, përfshirë përgjime telefonike dhe ambientale, vëzhgime fizike, dokumentim filmik, veprime simuluese dhe akte ekspertimi, ka rezultuar se Ndricim Kroi bashkëpunonte me shtetasen E.K., e cila e paguante për futjen e lëndës narkotike në burg. Sipas të dhënave hetimore, shumat e përfituara nga ky aktivitet varionin nga 100 deri në 200 mijë lekë të vjetra për çdo rast.
Në deklarimet e saj, kjo shtetase ka treguar se i dashuri i saj, i identifikuar si G.S., shiste lëndë narkotike brenda IEVP Elbasan me çmime të ndryshme, në varësi të sasisë dhe llojit.
Në përfundim, organi procedues vlerëson se ndaj shtetasve N.K., E.K. dhe G.S. ekziston dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova të administruara gjatë hetimit, se kanë konsumuar veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, si dhe “Futjes ose mbajtjes së sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg”, të parashikuara nga nenet 283/2 dhe 324/a/2 të Kodit Penal.
Masat e sigurimit janë ekzekutuar nga shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më datë 22 janar 2026, njofton Prokuroria.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


