E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si e përktheu Gjon Shllaku në qeli “Iliadën” e Homerit duke shkruar në thasë çimentoje
Lajme

Si e përktheu Gjon Shllaku në qeli “Iliadën” e Homerit duke shkruar në thasë çimentoje

U dënua me 101 vite burg! Akuza për grupin “Bashkimi shqiptar”

Më 16 gusht 2003 ndërroi jetë shqipëruesi i parë i Iliadës, Gjon Shllaku, njohës i thellë i greqishtes së lashtë e latinishtes. Përkthyesi dhe helenisti i shquar Gjon Shllaku, lindi në vitin 1923 dhe që në moshë të hershme nisi të përkthente.

gjon shllaku

Kur ishte vetëm 17 vjeç përktheu romanin “Ben Hur” të Vallasit, duke e marrë si një shtysë për përkthimet e mëpasshme që do t’i bënte kryeveprave botërore. Tri klasat e para të fillores i kreu në kolegjin françeskan, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri më 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnor duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë, studioi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus. Ishte vetëm 22 vjeç kur në vitin 1946 u dënua me 101 vjet burg, nën akuzën e anëtarësisë në grupin “Bashkimi shqiptar”.

I magjepsur pas antikitetit nisi të përkthente Iliadën në burgun famëkeq të Burrelit, duke shkruar në thasë çimentoje dhe rripa gazetash. Vazhdoi me përkthimin e veprës, pas 1957 kur u lirua nga burgu, pasi kreu 11 vjet nga dënimi që iu dha. Gjatë jetës së tij, jetë të cilën ia kushtoi plotësisht përkthimit, do t’i bënte të flisnin shqip personazhet e shtatë tragjedive të Sofokliut, të katër tragjedive të Euripidit, të shtatë tragjedive të Shekspirit si dhe “Prometeun e Lidhur” të Eskilit dhe “Eneidën” dhe “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Gjithashtu, do të përpilon te edhe dy fjalorë me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit dhe filologët shqiptarë, Greqishte e Vjetër – Shqip me 20 mijë fjalë dhe atë të Gjuhës së Vjetër Latine – Shqip me 65 mijë fjalë. Me përkthimet e tij, i dha Shqipërisë hijeshinë e vargjeve helene e latine. Për këto përkthime, ai do të vlerësohej nga qeveria greke me çmimin “Disku i Argjendtë” ndërsa në Shqipëri me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” (1995). Helenisti i shquar dhe i fundit i shkollës së përkthyesve të klasikëve do të mbyllte sytë përfundimisht në vitin 2003 në Shkodër, duke i lënë gjuhës shqipe një dhuratë të çmuar.

BURGIMI DHE VEPRAT

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si anëtar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkopin Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër, prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten. Pas daljes nga burgu më 1957 punoi te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim. Pas rënies së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat. Një ndër mjeshtrit e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.

Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën.

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjisori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999. Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” nga presidenti Sali Berisha.

Në prill të 2003 i akordohet nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i “Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.