Si iu mor jeta 37-vjeçares që denoncoi 4 ditë më parë në polici
26 korrik, Jetlira kishte shkuar në Policinë e Elbasanit. I kishte kërkuar ta mbronin nga bashkëshorti i saj dhunues, i cili i kishte marrë dhe thyer telefonin për shkaqe xhelozie.
Policia thotë se gruaja, nënë e dy fëmijëve, nga martesa e parë, kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, por nuk kishte bërë kallëzim. Ishte shoqëruar Ramiz Mici dhe Policia thotë se u mbajt 10 orë në ambientet e tyre, por ata kishin komunikuar qetë me njëri-tjetrin dhe ishin lënë të lirë të shkonin prej aty. Policia shton se iu dha urdhri i mbrojtjes gruas dhe ata jetonin në apartamente të ndara, në fakt ata banuan në të njëjtën banesë, derisa mëngjesin e së shtunës, Ramiz Mici mori një thikë dhe e goditi për vdekje gruan në të njëjtën banesë ku edhe kishin jetuar si bashkëshortë prej disa kohësh. Nëna e dy fëmijëve u gjend e pajetë nga fqinjët, të cilët lajmëruan Policinë, ndërkohë autori i krimit të rëndë, iku në drejtim të paditur për Policinë.
Policia bëri me dije përgjatë gjithë së shtunës se po e kërkonte në tre qytetet vrasësin, por u gjend vetëm pak minuta larg Drejtorisë së Policisë së Qarkut, poshtë urës së Zaranikës. Mediat lokale shpejt mësuan se gruaja kishte qenë vetëm 4 ditë më parë në ambientet e Policisë për të denoncuar rastin, por me anë të një njoftimi të gjatë, kjo Polici tregoi me detaje se si gruaja nuk e kallëzoi penalisht burrin dhunues e për pasojë ishin lënë të shkonin të dy, pasi nuk kishin shfaqur shenja agresiviteti mes tyre. Mirëpo, ndërsa Policia e kërkonte autorin e krimit, familja Elezi kishte hapur dyert e mortit, vëllai i viktimës, lë një postim kërcënues në llogarinë e tij në “Facebook”, duke lajmëruar hakmarrje të pafre. Policia, pasi e vuri në pranga vrasësin, edhe e filmoi dhe më pas shpërndau pamjet e operacionit të bujshëm.
ARRESTIMI
Ramiz Mici, 37-vjeçari që vrau bashkëjetuesen e tij mëngjesin e së shtunës në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, është arrestuar. Pas 24 orësh ndjekjeje, në qytetin e Elbasanit, Cërrikut dhe Kuçovës, si dhe informacioneve të marra në rrugë operative, ai u kap afër banesës së të afërmve të tij në Elbasan. Arrestimi i tij u krye nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja”. Operacioni policor për kapjen e tij u kodua “Zaranika”. Policia bëri me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 30 korrikut në banesën ku çifti jetonte me qira. Kështu, arratia e 37- vjeçarit zgjati vetëm 24 orë, ndërkohë që në lidhje me ngjarjen kanë dalë në dritë detaje të tjera, të cilat shpjegojnë edhe shkaqet e vrasjes brutale të gruas së pambrojtur.
SHERRI QË PËRFUNDOI ME VRASJE
Referuar të dhënave të Policisë së Elbasanit, u mësua se çifti jetonte në një shtëpi me qira. Vinin të dy nga martesa të mëparshme dhe që të dy ishin prindër të dy fëmijëve. Ramiz Mici ia kishte lënë fëmijët ish-gruas së tij, ndërkohë që viktima i kishte marrë me vete. Mirëpo nga sherret e vazhdueshme mes tyre, ajo i kishte çuar fëmijët te prindërit e saj, duke shmangur edhe përballjen tyre me aktin makabër që Ramizi kreu mbi nënën e tyre. Referuar të dhënave, mësohet se Jetlira, pas sherrit të fundit, të cilin e kishte denoncuar në Polici me 26 korrik, kishte vendosur të dilte nga banesa. Madje, dita që ajo do të largohej për të shkuar në shtëpi tjetër kishte qenë pikërisht e shtuna. Por, Mici ia mori jetën para se sa ajo të dilte nga dera, duke lënë jetim dy fëmijët e saj. Policia dhe Prokuroria e Elbasanit njoftuan se po vijojnë hetimet.
Shfajësimi i Policisë
“Më datë 26.7.2022 rreth orës 21:30, në Komisariatin e Policisë Elbasan është paraqitur shtetasja J. E., 37 vjeçe, e cila ka deklaruar se ka konflikt për motive xhelozie me bashkëshortin e saj shtetasin R.M. Menjëherë është njoftuar Zyra e Forumit të Dhunës ndaj Gruas, ku si përfaqësues është paraqitur avokati i kësaj zyre shtetasi E.Gj. Nga ana jonë, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë shtetasi R.M. Shtetasja J.E., ka deklaruar se ka pasur konflikt për motive xhelozie, ku shtetasi R.M., i ka thyer telefonin e saj dhe për këtë arsye është paraqitur në Komisariat. Shtetases pavarësisht se i është kërkuar të bënte kallëzim për dhunë në familje, nuk ka pranuar të bëjë kallëzim dhe kërkoi t’i plotësohet urdhër mbrojtjeje në mënyrë që të mos kishin kontakte me njeri-tjetrin. Gjatë kohës që të dy shtetasit kanë qenë në ambientet e Komisariatit të Policisë kanë qenë të qetë dhe kanë komunikuar me njeri-tjetrin. Shtetasit R.M., gjatë intervistës iu shpjegua përgjegjësia ligjore dhe pas 10 orësh si person i shoqëruar në Komisariat është lënë i lirë. Shtetasit në konflikt kanë qëndruar në apartamente të ndara nga momenti i konfliktit”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



