Si po futet nafta nga Rusia dhe Irani në Shqipëri, dyshimet tronditëse
Dyshime serioze po ngrihen mbi hyrjen e karburanteve në Shqipëri nga shtete të vendosura nën regjim ndërkombëtar embargosh, si Rusia dhe Irani, si edhe përmes shteteve ndërmjetëse që shërbejnë si korridore kamuflazhi, përfshirë Libinë.
Sipas raportimeve të publikuara nga mediat, bazuar në të dhëna që i referohen një komunikimi diplomatik konfidencial të Ambasadës në Tiranë, karburantet dyshohet se futen në territorin shqiptar përmes një skeme dokumentare të manipuluar. Burime të informuara sugjerojnë se dokumentet e origjinës së mallit ndryshohen ose shkëmbehen gjatë tranzitit në vende si Qipro dhe Turqia, me qëllim fshehjen e burimit real të karburantit dhe shmangien e filtrave ligjorë, doganorë dhe fiskalë.
Sipas këtyre burimeve, përmasat e evazionit fiskal të lidhur me këtë fenomen janë jashtëzakonisht të mëdha. Vlerësimet paraprake flasin për deri në 1 milion tonë karburant që dyshohet se ka hyrë në vend pa u deklaruar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit humbje që arrijnë rreth 1 miliard euro nga taksat dhe detyrimet e papaguara.
Këto dyshime dalin në një moment delikat politik, kur kryeministri Edi Rama, gjatë fushatës elektorale, ka artikuluar publikisht nevojën për “guxim” në luftën kundër informalitetit, duke e vendosur theksin te sektorë të ndjeshëm si tregu i naftës dhe ai i barnave, të cilët prej vitesh konsiderohen problematikë për ekonominë shqiptare.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave politike, rezultatet konkrete në terren vijojnë të mbeten të pakta. Formalizimi real i tregut, identifikimi i skemave të kontrabandës dhe goditja e rrjeteve të përfshira nuk kanë prodhuar ende efekte të prekshme, duke lënë hapësirë për dyshime mbi efikasitetin e mekanizmave të kontrollit dhe vullnetin real për ta çuar këtë betejë deri në fund.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



