Si po zhduket Laguna e Kune-Vainit për t’u kthyer në truall ndërtimi
Prej vitesh, zona e mbrojtur e Lagunës së Kune-Vainit në Lezhë është bërë objekt i tentativave për ta kthyer territorin ujor dhe kanalet natyrore në truall ndërtimi. Individë dhe kompani private janë pajisur në mënyrë të dyshimtë me certifikata pronësie sipas ligjit 7501, dokumente që në disa raste përfshijnë edhe sipërfaqe ujore dhe kanalin kryesor që lidh lagunën me detin.
Prokuroria e Lezhës ka hapur hetime dhe ka konstatuar shkelje në procesin e pajisjes me pronësi, duke vendosur sekuestron mbi një pjesë të tokave, ndërsa çështja vijon ende në gjykatë. Por pavarësisht zhvillimeve ligjore, ndërhyrjet në terren nuk janë ndalur. Herë pas here, grupe privatësh kanë tentuar të mbushin kanalet e lagunës, duke ndryshuar funksionin e tyre natyror.
Këto situata janë dokumentuar disa herë nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, i cili në maj të vitit 2022 filmoi dhjetëra kamionë me inerte që mbushnin kanalet. Ekipi i Fiksit u përball edhe me kërcënime nga persona që pretendonin se posedonin certifikata pronësie për zonën. Aso kohe, disa zyrtarë të zonave të mbrojtura dhe të Inspektoratit të Territorit u arrestuan, por ndërhyrjet u rikthyen sërish.
Në prill 2023, Fiksi dokumentoi grumbuj të mëdhenj inertesh, beton, gurë, tulla, të hedhur në kanal, duke zënë më shumë se gjysmën e hapësirës së tij dhe duke krijuar një rrugë kalimi nga njëra anë e lagunës në tjetrën. Banorët konfirmuan se i njëjti grup personash ishte aktiv prej kohësh. Në shtator 2023, megjithëse kanali ishte hapur, mungesa e mirëmbajtjes nga institucionet çoi në ndotjen e ujit të lagunës.
Së fundmi, Fiksi ka marrë informacione se po tentohet hapja e një kanali të ri, në një vend tjetër nga ai natyral, për shkak se kanali kryesor është bllokuar. Hapja e një rruge alternative komunikimi me detin u jep mundësi poseduesve të certifikatave të dyshimta të mbushin sipërfaqen ujore dhe ta kthejnë në truall ndërtimi. Me pak fjalë: pronësi mbi ujë, që kthehet në pronësi mbi tokë.
Ndërhyrjet dhe bllokimi i kanalit origjinal kanë sjellë edhe pasoja të drejtpërdrejta: çarjen e argjinaturës në Tale dhe përmbytjet e fundit në zonë. Fiksi dokumentoi se një ekskavator i Bordit të Kullimit ishte në vendngjarje, por hapja e kanalit u vonua disa ditë për shkak të pretendimeve se zona ishte “private”. Pikërisht kjo vonesë dyshohet se ka favorizuar përmbytjen.
Në momentin që ekipi i Fiksit mbërriti në zonë, Bordi i Kullimit kishte nisur hapjen e kanalit në rrjedhën natyrale. Inspektori i Zonave të Mbrojtura, Zef Gjeçi, deklaroi se situata është përkeqësuar pas çarjes së argjinaturës dhe se kërkesa për mjet ishte bërë nga vetë institucioni i tij. Sipas tij, një ditë më parë disa persona privatë kishin tentuar të hapnin një kanal të ri.
Gazetarët kontaktuan edhe drejtorin e Bordit të Kullimit, Nikolin Prendin. Në fillim ai tha se nuk kishte dijeni, pasi zona administrohet nga institucionet e Zonave të Mbrojtura, por më pas pranoi se ekskavatori ka shkuar atje me kërkesë të tyre. Për pretendimet se Bordi synoi hapjen e kanalit në një vend tjetër, ai u shpreh se kjo nuk është e vërtetë dhe se Laguna menaxhohet nga një firmë private.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



