Si po zvarritet dosja në ngarkim të kryebashkiakut Benet Beci

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë sërish seancën paraprake për dosjen penale ndaj kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci. Për të tretën herë radhazi, ai nuk u paraqit në sallën e gjyqit, duke përfaqësuar veten përmes një prokure të posaçme të dhënë avokatit të tij.

Mbrojtësi ligjor, Ervin Metalla, nuk ishte i pranishëm në seancë pasi ndodhej i angazhuar në një proces tjetër gjyqësor, çka detyroi trupën gjykuese të shtyjë shqyrtimin. Kryebashkiaku Benet Beci dhe gjashtë persona të tjerë përballen me akuza nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, të kryera në bashkëpunim.

Gjyqtarja Marinela Osmani vendosi që seanca të zhvillohet të martën, më 24 shkurt. Në këtë seancë pritet që SPAK të paraqesë kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja do të ketë mundësi të paraqesë kundërshtimet e saj.

Në listën e të pandehurve është edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili aktualisht ndodhet në arrest.

Sipas organit të akuzës, Beci dyshohet se ka cenuar barazinë mes operatorëve ekonomikë në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019. Tenderi kishte si objekt “Zhvillimin Strategjik të Sektorit Energjetik” dhe një vlerë rreth 700 milionë lekë.

Hetimet janë nisur kryesisht mbi bazën e materialeve të referuara nga hetues të Byroja Kombëtare e Hetimit, pas sekuestrimit të provave në banesën e Evis Berberit, që shërbyen si bazë për ngritjen e akuzave në këtë dosje.

Publikuar nga Publik Media