Si ra karteli familjar “Isa Aliu”
INVESTIGIMI / Milionat e groposura në fuçi, resortet luksoze dhe ekzekutimi i Mond Mëhallës
Nga Elbasani në Gjirin e Lalzit e Sarandë, SPAK zbardh skemën e frikshme të vëllezërve Aliu. Si u përdor dhuna ekstreme nga nipi i skeduar me 4 emra, borxhi prej 700 mijë eurosh që solli vrasjen e biznesmenit në nëntor 2025 dhe kompania “Sea View Development” që sfidoi BKH-në.
Një perandori kriminale e ndërtuar mbi trafikun ndërkombëtar të drogës, miliona euro të fshehura në fuçi të groposura dhe një dritë hije mbi vrasje, pengmarrje e gjobëvënie. Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ka çmontuar atë që hetuesit e konsiderojnë si një nga organizatat më të strukturuara familjare të botës së krimit në Shqipëri: Kartelin “Isa Aliu”.
Dosja hetimore zbulon një ndarje të qartë rolesh brenda familjes nga Elbasani, ku secili anëtar funksiononte si një celulë e mirëpërcaktuar – nga sigurimi i drogës në tregun ndërkombëtar, te pastrimi i parave në hotelet luksoze të bregdetit, e deri te eliminimi fizik i bashkëpunëtorëve që guxonin të thyenin marrëveshjet.
Ndarja e roleve: Nga “Albo Pelon” te pastruesi i miliona eurove
Në krye të këtij rrjeti, sipas SPAK, qëndrojnë dy vëllezërit Aliu. I pari, Salvatore Aliu (alias Shpëtim Aliu), njihej në mjediset kriminale me një sërë nofkash si “Daja”, “Qero”, “Qerosi”, “Viktori” dhe “Albo Pelon”. Rolin e tij hetuesit e kanë përcaktuar qartë: ai ishte “truri” jashtë kufijve, njeriu që siguronte linjat e trafikut dhe dërgonte në Shqipëri thasë me miliona euro cash të gjeneruara nga aktiviteti i paligjshëm.
Në Shqipëri, paratë e “Albo Pelon” priteshin nga vëllai i tij, Isa Aliu. Ky i fundit kishte marrë përsipër misionin e vështirë të futjes së këtyre kapitaleve në rrugë ligjore. Skema ishte ajo klasike, por në përmasa gjigante: investime masive në ndërtim, pallate, kulla, hotele dhe resorte luksoze në zonat më të lakmuara të vendit, duke krijuar kompani tregtare me qëllimin e vetëm për të justifikuar qarkullimin e miliona eurove të drogës.
“Dizajni i dhunës” dhe paratë në fuçi: Kush është nipi me 4 emra?
Nëse dy vëllezërit menaxhonin paratë dhe logjistikën, krahu i armatosur dhe garantuesi i “heshtjes” dhe paprekshmërisë së grupit ishte djali i Isait dhe nipi i Shpëtimit, Oklido Aliu.
I njohur në skedat e policisë së Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit edhe me emrat Oklido El Ouejdi, Kiço apo Oliver, ai konsiderohet si organizatori dhe ekzekutuesi i krimeve më të rënda të grupit. Mbi të rëndojnë dyshime për:
Pengmarrje dhe gjobëvënie ndaj biznesmenëve.
Dhunë fizike dhe plagosje të rivalëve.
Financim dhe pjesëmarrje në vrasje të mbetura të pazbardhura.
Emri i Oklidos, ose “Kiços”, ka dalë zbuluar edhe në përgjimet e dosjes së SPAK. Në këto audio-përgjime, anëtarët e kartelit flasin hapur për fshehjen e shumave marramendëse – plot 20 milionë euro të ardhura nga droga, të cilat ishin futur në fuçi dhe ishin groposur për t’iu shpëtuar syve të ligjit.
Ekzekutimi i Edmond Mëhallës: Borxhi prej 700 mijë eurosh që përfundoi në gjak
Aktiviteti i kartelit do të përgjakej sërish më 30 nëntor 2025 në Elbasan, me vrasjen e biznesmenit Edmond (Mond) Mëhalla.
Sipas dosjes hetimore, Mëhalla nuk ishte një emër i panjohur për familjen Aliu. Ai kishte bashkëpunuar edhe më parë me grupin për investimin dhe qarkullimin e kapitaleve me origjinë të dyshimtë. Mirëpo, një konflikt i fundit për një shumë prej 700 mijë eurosh – e maskuar në letra si borxh, por që dyshohet se ishte pjesë e fitimeve të drogës – rezultoi fatal.
Konflikti nisi fillimisht me përplasje dhe dhunë fizike mes palëve. Vetëm dhjetë ditë pas këtij sherri, biznesmeni u ekzekutua. Hetuesit kanë dyshime të forta se pas këtij eliminimi fizik qëndron pikërisht Oklido Aliu. Menjëherë pas krimit, ky i fundit arriti të arratisej nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Qafë-Thanës dhe aktualisht ndodhet në kërkim ndërkombëtar, ndërsa dyshohet se vazhdon të drejtojë fijet e trafikut nga arratia.
Perandoria e betonit: Nga Gjiri i Lalzit te sfida ndaj BKH-së me “Sea View Development”
Investigimi zbardh se paratë e groposura në fuçi përfundonin në themelet e turizmit luksoz shqiptar. Një nga projektet më të mëdha të kartelit është resorti “Aliu Road House” në Gjirin e Lalzit, një kompleks që sipas dosjes përfshin marina, struktura akomoduese dhe investime miliona eurosh. Gjurmët e investimeve të ngjashme shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare: në Sarandë, Himarë, Vlorë, Durrës, por edhe në ndërtimet e larta në Tiranë.
Ajo që dëshmon arrogancën dhe sigurinë e plotë të kartelit është lëvizja e tyre e fundit me drejtësinë. Në shtator 2024, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dorëzoi në SPAK materialet e para paraprake për këtë grup.
Lëvizja e Kartelit: Vetëm një muaj më pas, në tetor 2024, Isa Aliu krijoi kompaninë e re “Sea View Development”.
Sipas hetuesve, kjo kompani u themelua me nxitim si një instrument emergjent për të bllokuar sekuestrot, duke tentuar të vazhdonte legalizimin e kapitaleve kriminale nën një emër të ri të pastër, të fokusuar gjoja te turizmi dhe pasuritë e paluajtshme.
Megjithatë, goditja e SPAK ka filluar të shkatërrojë fasadën e pastër të biznesit të familjes Aliu. Me njërin vëlla nënn hetim, tjetrin në skedat e pastrimit të parave dhe nipin në arrati për vrasje e trafik ndërkombëtar, karteli i fuçisë me 20 milionë euro po përballet me fillimin e fundit të perandorisë së tij të ndërtuar mbi drogë dhe gjak.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



