Si votuan gjyqtarët? Zbardhet vendimi i Kushtetueses për Ballukun
Gjykata Kushtetuese ka vendosur me shumicë votash, 5 pro dhe 3 kundër, pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dy vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të datave 19 dhe 22 nëntor, në pjesën që lidhet me masën ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Pro pezullimit votuan gjyqtarët Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi, Sandër Beci, Marjana Selimi dhe Ilir Toska, ndërsa kundër u shprehën Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi.
Çfarë shqyrtoi Gjykata?
Më 12 dhjetor 2025, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga Marsida Xhaferllari (kryesuese), Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Ilir Toska, Gent Ibrahimi, Marjana Semini, Asim Vokshi dhe Sandër Beci, mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Kryeministri i Shqipërisë.
Kryeministri kërkoi:
-
zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës mes Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së;
-
shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së që ka vendosur pezullimin e Ballukut nga detyra dhe pezullimin e këtij vendimi deri në shqyrtimin përfundimtar;
-
interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës.
Argumentet e Kryeministrit
Sipas kërkesës së paraqitur, zbatimi i vendimeve të GJKKO-së:
-
prek interesa të lartë shtetërorë dhe shoqërorë;
-
rrezikon funksionimin normal të Këshillit të Ministrave, pasi krijon “vakum institucional”;
-
pengon ushtrimin e kompetencave kushtetuese të qeverisë, Presidentit dhe Kuvendit;
-
cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke thelluar konfliktin me pushtetin gjyqësor;
-
shkakton pasoja të pariparueshme në drejtimin e fushave që mbulon ministrja e pezulluar.
Më 27 nëntor 2025, Kryeministri depozitoi një kërkesë shtesë, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të dytë të GJKKO-së, nr. 120 i datës 22.11.2025, që sërish lidhej me vazhdimin e masës ndaluese ndaj Ballukut.
Pse ndërhyri Gjykata Kushtetuese?
Gjykata u referua nenit 45 të ligjit organik të saj, që e lejon pezullimin e një akti nëse ai rrezikon të shkaktojë:
-
pasoja të pariparueshme,
-
prekjen e interesave shtetërorë,
-
ose cenim të funksionimit kushtetues të institucioneve.
Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se vazhdimi i masës ndaluese ndaj Belinda Ballukut, e cila mban njëkohësisht detyrat e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, mund të ndikojë drejtpërdrejt në aftësinë e ekzekutivit për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese lidhur me politikat shtetërore.
Vendimi i shumicës
Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi:
Pezullimin e zbatimit të vendimeve të GJKKO-së nr. 118 (19.11.2025) dhe nr. 120 (22.11.2025), për pjesën që lidhet me vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” ndaj Belinda Ballukut.
Ky pezullim mbetet në fuqi derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht mbi çështjen.
Si u nda vota në Gjykatën Kushtetuese?
Vendimi për pezullimin e masës ndaluese ndaj Belinda Ballukut u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër. Më konkretisht:
Votuan PRO pezullimit:
-
Sonila Bejtja
-
Genti Ibrahimi
-
Ilir Toska
-
Sandër Beci
-
Marjana Semini
Votuan KUNDËR pezullimit:
-
Fiona Papajorgji
-
Marsida Xhaferllari
-
Asim Vokshi
Këta të fundit argumentuan se vendimi i GJKKO-së nuk duhej pezulluar në këtë fazë të procesit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



