E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sjellja e Ramës si politikan dhe sjellja e tij si i ‘krishterë’
Publik News

Sjellja e Ramës si politikan dhe sjellja e tij si i ‘krishterë’

Intervista e Kryeministrit Rama për programin “Opinion” të Blendi Fevziut para pak ditësh ishte pak a shumë një përpjekje për të formuar apo më saktë fabrikuar një autobiografi. Kryeministri Rama foli në atë intervistë për mënyrën se si e kishte kundërshtuar komunizmin, për mënyrën se si kishte bërë disidencë, foli për mospraninë në momentin e themelimit të PD-së (për shkaqe që nuk vareshin nga ai) për mënyrën se si ai i kishte parë lindjen e pluralizmit, për angazhimin në politikë, për idetë e tij politike, për kundërshtarët, për marrëdhëniet me prindërit, me miqtë, me gratë etj.

Në thelb, Rama kërkoi të thotë se ai ishte një njeri që e kishte urryer komunizmin që herët, që kishte dashur me shpirt rënien e tij, që kishte qarë nga dhimbja pse nuk ishte në themelimin e PD-së, që kishte hyrë në politikë pa asnjë ambicie, që nuk kishte qëndruar në politikë sepse të tjerët po bënin gjerat shumë keq, që kishte dhimbje vetëm Shqipërinë, që ishte një njeri që nuk e donte fare politikën, që nuk kishte asnjë lakmi politike, që nuk kishte asnjë lakmi pasurore, që nuk kishte asnjë lloj joshjeje dhe më epsh për pushtetin etj. Gjithashtu, Rama u shfaq edhe një njeri që kishte dëshmuar një respekt të thellë për prindërit, që kishte pasur prindër të shkëlqyer, të cilët i kishin shërbyer vendit dhe nuk ishin përzier në asgjë të keqe, pavarësisht se çfarë thuhej, që kishte respekt të thellë për gratë, që mendonte se politika dhe tërë jeta publike duhet t’u jepte atyre një rol të madh etj.

Në njëfarë mënyre, Rama u përpoq të fabrikojë një njeri që ka përvujtni të madhe, që është shumë i përulur, pavarësisht se çfarë duket ndonjëherë, që ka një modesti të pamendueshme, që është shumë i kulturuar dhe i matur, që ka dije të mëdha në art dhe politikë, apo në histori dhe në sociologji, që ka energji të pashtershme për të ndihmuar njerëzit dhe popullin dhe që ka dashuri të pakufishme që ata që vuajnë apo për të drejtën dhe të mirën. Rama është mundur gjithmonë të shfaqet i tillë, por në një mënyrë kaq të dendur, kaq këmbëngulëse dhe kaq arrogante nuk kishte ndodhur.

Ta shihje Kryeministrin të fliste në këtë mënyrë për veten, të sillte në mendje njeriun, qenien njerëzore në momentet e saj më të vështira ekzistenciale teksa rropatet e pashpresë të mbijetojë, duke bërë gjithçka, duke përmbysur dëshpërimisht çdo të vërtetë apo duke sajuar gjëra pabesueshmërisht të pabesueshme, deri duke u munduar të krijojë një realitet tjetër, në të cilin kjo qenie do të mbijetonte më lehtë.

Friedrich Nietzsche, në librin e tij autobiografik “Ecce Homo”, ka kapituj, të cilët i titullon “Pse jam kaq i ditur”, “Pse jam kaq i zgjuar”, “Pse bëj gjëra kaq të mëdha”, “Pse jam destini (fati i pashmangshëm)” etj.

Nietzsche, në fakt, ka qenë vërtet shumë i ditur dhe i zgjuar, ka bërë vërtet libra të mirë dhe në njëfarë mënyre u bë një lloj fati për një pjesë të mendimit apo filozofisë që drejtoi botën, pavarësisht sa shkatërrimtare mund të ketë qenë ajo.

Ndryshe nga Nietzsche, Rama nuk ka asgjë nga këto, ai thjesht i pretendon ato (nënkuptueshëm dhe pa i lidhur fare me Nietzsche-n), duke u bërë vetëm një karikaturë. Rama vërtet “tha” sa i ditur jam, sa i zgjuar jam, sa gjëra të mëdha bëj, unë jam destini (ai këtë e thotë gati literalisht përditë) etj., por ai duke qenë bash e kundërta është veçse një karikaturë, një njeri në momentet më të dëshpëruara ekzistenciale (si lider, më së shumti politikisht), i cili, edhe pse e di që njerëzit e dinë të vërtetën, edhe pse e di që ato që thotë që do të shkaktojnë ilaritet dhe do ta bëjnë veç një karikaturë, nuk tërhiqet dot.

Pra, intervista ishte një “Ecce homo”. Nietzsche e ka quajtur librin “Ecce Homo” për shkak se ka dashur të paralelizojë veten me Krishtin. Siç thuhet në Ungjill, Ponc Pilati kur e nxori Krishtin para njerëzve tha “Ecce homo”, (“Shiheni njeriun”, “Ja njeriu”). Nietzsche e mendonte veten një revolucionar të thellë që do të ndryshonte gjithçka siç bëri Krishti. Pra, siç rrëzoi Krishti ligjin e vjetër të Dhiatës së Vjetër, Nietzsche do të rrëzonte ligjin e Krishtit, ose Dhiatën e Re. Pra, Nietzsche do të ishte “AntiKrishti” dhe siç Pilati u tha njerëzve “Ecce Homo” për Krishtin, ai po u thoshte njerëzve “Ecce homo” për veten. Me intervistën për veten, Rama nuk kërkonte të paraqiste një njeri që do të ndryshojë botën, por ama për një njeri që do të ndryshojë Shqipërinë ai ka folur gjithnjë dhe atë natë fabrikoi edhe më shumë një njeri që e ka mision Shqipërinë, një njeri që është destini i Shqipërisë. Pavarësisht se sa qesharake dhe sa karikatureske të duket, intervista ishte një “Ecce homo”, por që fliste për një homo që nuk ekziston, për një homo të sajuar, të fabrikuar.

Mund të analizohej nga shumë kënde kjo sjellje e Kryeministrit, por një përgjigje të plotë në raste si ky nuk mund ta japë më asnjë qasje sekulare. Kryeministri Rama ka thënë me kohë se ai është një i krishterë, madje një i krishterë katolik. Atëherë, le të përpiqemi ta shohim këtë sjellje të Ramës nën prizmin e disa mësimeve të krishtera.

Në greqishten e vjetër, për at a që “humbin rrugën” përdorej fjala plani. Shën Xhon Kasiani e përktheu këtë fjalë në latinisht si illusio dhe me të quajti kësisoj galët në Perandorinë e Romës. Në latinisht, kjo fjalë ka kuptimin e “mashtrimit” shpirtëror. Në gjuhët sllave, kjo fjalë ka si gjegjës fjalën prelest, por fjala prelest në teologjinë e krishterë ka marrë një kuptim të thellë dhe është shndërruar në një koncept shumë të rëndësishëm. Rrënja e kësaj fjale është lest dhe do të thotë miklim, lavdërim. Prelest do të thotë vetëmiklim, vetëlavdërim. Ky koncept shënjon një gjendje të mendjes që e shtyn njeriun të imagjinojë se ai nuk është ajo që ai është – që ai është “shenjtor”, “i drejtë”, “i ndershëm”, që është më “i shenjtë sesa ti apo sesa të tjerët”.

Aleks Osipov nga Akademia Teologjike në Moskë thotë se të “miklosh veten” nuk do të thotë të bindësh veten se je shumë i mirë, se je më i miri. Jo, thotë Osipov, nuk ka nevojë fare të bindësh veten. Ti thjesht e di që je më i miri dhe nuk ka asnjë rëndësi nëse dikush të kritikon. Ai që të kritikon, është budalla, ai thjesht nuk e kupton që ti je i mirë. Prelest është ajo gjendje, në të cilën një person e sheh veten si “shenjtor”.

Etërit e kishës që në ditët e para e kanë parë me shumë frikë këtë gjendje që mund ta kaplojë njeriun. Shën Makarios i Madhi ka folur për këtë gjë që nga fundi i viteve 300 pas Krishtit. Ai madje kishte frikë se mos edhe murgjërit që luteshin vazhdimisht, mund të kishin momente kur “vetëmikloheshin” kur mund të mendonin se ishin të drejtë, të devotshëm dhe afër Zotit. Mënyra e vetme se si njeriu mund të mbrohet nga kjo gjendje është largimi nga krenaria dhe të kujtuarit vazhdimisht se vetëm Zoti i ka në dorë gjërat dhe se progresi personal nuk mund të jetë kurrë një qëllim.

Rama është i tëri në këtë gjendje të prelestit dhe ai, megjithëse thotë se është i krishterë, nuk duket se bën ndonjë gjë sipas këtyre mësimeve për të shpëtuar nga ky pushtet i frikshëm i prelestit. Përkundrazi, ai këmbëngul me forcë.

Shën Makarios i Madhi thoshte se kjo gjendje e prelestit shprehet fuqimisht me anë të krenarisë, kapadaillëkut, hipokrizisë dhe gënjeshtrës.

Shën Xhon Klimakus, një abat në manastirin e Shën Katerinës në shkretëtirën e Sinait, thoshte se mes hipokrizisë dhe gënjeshtrës ka një lidhje të tmerrshme në sendërtimin më pas të prelestit: “Hipokrizia është nëna e gënjeshtrës dhe shpesh edhe shkaku i saj”.

Aleksander Webster, profesor në seminarin e Trinisë së Shenjtë në Nju Jork thotë se ka dy lloje gënjeshtrash që çojnë në prelest. Njëra është gënjeshtra e vetëdijshme, me qëllim, pre e të cilës bien shumë njerëz. Këtë lloj gënjeshtre njeriu e bën për shkak se kërkon të fitojë, se kërkon të fshehë diçka që e dëmton. Njeriu në këtë rast po punon, sipas teologjisë së krishterë, për “babain e gënjeshtrës”, Satanain. Njeriu mund të bjerë nën tundimin e Satanait, t’i dorëzohet atij, i cili i ofron “gjithë mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre” (Mat 4:8) dhe bëhet kësisoj adhurues i Satanait.

Lloji i dytë i gënjeshtrës nuk është i vetëdijshëm. Ajo, thotë Webster, karakterizon një njeri të errësuar nga krenaria, të konsumuar nga dashuria për veten dhe nga hipokrizia. Për këtë njeri, gënjeshtra bëhet e “vërteta e tij”. Aftësitë e tij racionale dhe spirituale “janë harxhuar” dhe shpirti i tij është i plagosur në mënyrë të rëndë. Rama, me mënyrën se si i përpoq të krijojë një realitet të ri në intervistën me Fevziun, por edhe me faktin që mbulon përditë ato që ka thënë për punësimin, për luftën ndaj krimit, për ndërtimin e një vendi ku shqiptarët nuk ikin, por vijnë, për blerjen e votave, për lidhjet e qeverisë me botën e krimit etj,, duket se ka mbërritur në këtë pikë. Ai duket vërtet një njeri i errësuar nga krenaria, i konsumuar nga dashuria për veten dhe nga hipokrizia dhe paaftësi racionale dhe spirituale për të bërë një dallim bazik sepse, siç thotë Alekandër Ëebster, shpirti i tij është plagosur rëndë. Shërbimi që i bën ai djallëzores në këmbim të “mbretërive të botës” e ka nënshtruar atë.

Kushdo është i ekspozuar ndaj këtij lloj “vetëmashtrimi” spiritual dhe në ditët e sotme, në kohët e konsumerizmit gjigant, në kohët e shfaqjes haptas të të gjitha epsheve askush nuk ka imunitet. “Mashtrimi” spiritual, prelesti, gënjeshtra me të dyja llojet e saj, e plagosin rëndë shpirtin dhe mbrojtja e vetme, thotë Shën Ignatius Brianchaninov, një teolog i rëndësishëm, është vetëdija për këtë fakt. Rama nuk duket askund që të jetë i vetëdijshëm për faktin se njeriu bie në prelest, se ai vetë bie në prelest siç ka rënë. Deri atëherë, ai do të vuajë shumë vetë, por do të vazhdojë t’i shkaktojë vuajtje edhe vendit. Prelesti është një gjendje shkatërrimtare, në të cilën njeriu nuk ngopet kurrë me pushtet, lavdi, krenari dhe nuk ndalet së gënjyeri, ndaj vuajtja është e madhe.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.