Skandali i akulloreve të kontaminuara dhe inaktiviteti i AKU-së
A ka akullore të rrezikshme në tregun shqiptar?
Në Shqipëri, konsumatorët përballen me një rrezik të madh kur bëhet fjalë për akulloret që gjenden në treg. Jo vetëm KLSH por edhe media ka raportuar se në treg ka disa lloje akulloresh janë të kontaminuara me substanca të dëmshme për shëndetin, përfshirë bakteret dhe kimikatet toksike.
Në 2021 AKU njoftoi se ka bërë tërheqjen nga tregu të 6 lloje akulloresh me përmbajtje të një substance të palejuar.
Bëheshe fjalë për këto akullore, BTY XTRA Ice Bar; BTY Ice Bar; TWIX Ice Bar; TWIX XTRA; SNK XTRA Ice Bar; SNK Ice Bar.
Kreu KLSh Shehu tha se auditimi i vitit 2021 konstatoi se AKU nuk kishte marrë masa për të bllokuar produktin që ishte i kontaminuar.
‘Në 27.7.2021, u zbuluan markat e akullore, Oksid Etileni në akulloret e prodhuar në Francë, u zbulua nga Spanja që më pas ka njoftuar në sistemin RASFF, 47 shtete, për kontaminim e akullores me Oksid Etileni në disa akullore. Me pas në 30/7/2021 ka ardhur email, tek drejtuesit e AKU për këtë gjë. AKU, është njoftuar menjëherë dhe duhet të merrte masa për të ndaluar qarkullimin e akulloreve të kontaminuara. Oksidi Etileni shkakton kancer, leucemi, ndikon në aftësinë riprodhuese tek meshkujt. AKU nuk kreu asnjë veprim, nuk e bllokoi këtë produkt’, tha Shehu.
Këto akullore qarkullojnë akoma në çdo supermarket, duke vënë në rrezik shëndetin.


Pavarësisht këtyre problemeve serioze, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) nuk ka marrë masa efektive për të kontrolluar dhe për të tërhequr këto produkte të rrezikshme nga tregu. Më kot rreket Shalsi, të na mbushë mendjen për kontrollet përgjegjësinë mbi ushqimet që komsumojnë qytetarët shqiptarë. Shqiptarët disa herë i ruan zoti nga ushqimet pa kontroll.
Një tjetër skandal i zbuluar së fundmi lidhet me mishin e kontaminuar, i cili është rishitur për të prodhuar sallam. Ky mish, i cili ishte konstatuar me probleme serioze higjienike dhe shëndetësore, në vend që të asgjësohej, u rishit dhe përfundoi në përpunimin e sallamit që konsumohet nga qytetarët. Ky veprim jo vetëm që rrezikon shëndetin publik, por tregon edhe mungesën e kontrollit dhe përgjegjësisë nga ana e AKU-së.
AKU dhe mungesa e masave
Pavarësisht denoncimeve dhe provave të shumta për këto probleme, AKU duket se nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për të mbrojtur konsumatorët. Raportet tregojnë se inspektimet janë të rralla dhe shpeshherë jo të rregullta, duke lejuar kështu që produktet e rrezikshme të mbeten në treg.
Pasojat për Shëndetin Publik
Pasojat e këtyre skandaleve janë të rënda. Konsumimi i akulloreve të kontaminuara dhe produkteve të përgatitura me mish të ndotur mund të shkaktojë probleme të mëdha shëndetësore, përfshirë infeksione serioze dhe sëmundje kronike. Konsumatorët, të cilët shpesh nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet që përballen, mbeten të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj këtyre kërcënimeve.
Nevoja për veprim
Është urgjente që AKU të marrë masa të forta dhe të menjëhershme për të kontrolluar cilësinë e produkteve ushqimore në treg. Inspektimet duhet të bëhen më të shpeshta dhe më të rrepta, dhe çdo produkt i kontaminuar duhet të tërhiqet menjëherë nga tregu. Për më tepër, autoritetet duhet të jenë më transparente dhe të informojnë publikun për rreziqet e mundshme.
Siguria ushqimore në Shqipëri është në një pikë kritike. Pa veprime të shpejta dhe të vendosura nga AKU, shëndeti i konsumatorëve mbetet në rrezik serioz. Hetimet tona do të vazhdojnë për të zbuluar të vërtetën dhe për të mbajtur përgjegjësit e këtij skandali nën llogari.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



