Skandali i vjedhjes që përfshin Zyrtarë të Lartë – Përveç Mirela Kumbaros, del në dritë Marinela Jazoj
Skandali i përvetësimit të fondeve publike nga zyrtarë të lartë po thellohet më tej me zbulime tronditëse. Mirela Kumbaro, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, megjithëse pjesë e skemës së vjedhjes, nuk është marrë ende e pandehur nga SPAK. Por, detajet e reja zbulojnë se pjesë e këtij grupi të hajdutëve është edhe Marinela Jazoj, këshilltare e jashtme e Ilir Beqjes dhe Mirela Kumbaros, Konsulle Nderi e Norvegjisë në Shqipëri dhe drejtore e kompanisë private “FIAA-Albania”. Jazoj fillimisht u ndalua me masën “Arrest shtëpie”, por më vonë u lirua dhe u hoq nga dosja penale.
Në procedurën dhe aktet e hetimit të SPAK për arrestimin e Ilir Beqjes, nuk është përfshirë Mirela Kumbaro, edhe pse ajo ka qenë bashkëpunuese në vjedhjen e kryer nëpërmjet restorantit “Gzona” të Beqjes. Dosja “Beqja” tregon se firma “Landways International Sh.p.k.” ka marrë një tender për aktivitetin “FESTA” më 3 deri 5 Prill 2023, me temë “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, ku janë shpenzuar vetëm për ushqim dhe argëtim.
Ilir Beqja ka akorduar 150 mijë Euro me TVSH nga fondet e BE-së të Drejtorisë së Donacioneve për këtë aktivitet, të cilat firma private i ka kaluar te restoranti “Gzona”, ku vetëm për një darkë janë shpenzuar 41 mijë Euro, ndërsa pjesa tjetër prej 109 mijë Euro është përvetësuar.
Sipas Buletinit të Prokurimit Publik, Beqja nuk ka bërë shpallje tenderi dhe as tender deri në ditën e zhvillimit të aktivitetit “FESTA” më 3 prill 2023. Ndërkohë, Kumbaro, për të njëjtin aktivitet dhe me të njëjtën firmë private, ka bërë pagesa të tjera, megjithëse ishte e vetëdijshme se aktiviteti ishte financuar nga Drejtoria e Donacioneve që drejtohej nga Beqja.
Dokumentet e siguruara nga “Pamfleti” tregojnë se më 10 mars 2023, Kumbaro ka zhvilluar një tender me vlerë 462 mijë Euro me TVSH për të njëjtin aktivitet ndërkombëtar turizmi, ndërsa më 23 mars 2023, ka lidhur kontratën me të njëjtën firmë “Landways International Sh.p.k.” për 130 mijë Euro për dy dreka, qira salle aktiviteti dhe argëtim të të ftuarve.
Pra, për të njëjtin aktivitet dhe në të njëjtën datë, janë paguar 612 mijë Euro të ndara në këtë mënyrë: 150 mijë Euro nga Drejtoria e Donacioneve e Ilir Beqjes dhe 462 mijë Euro nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit e Kumbaros. Sipas SPAK-ut, Ilir Beqja ka përvetësuar afro 110 mijë Euro, ndërsa Kumbaro 330 mijë Euro, duke bërë dokumente shpenzimesh false te restoranti i Beqjes, nëpërmjet të njëjtës firmë private.
Megjithatë, Kumbaro nuk është marrë e pandehur nga SPAK, edhe pse ka vjedhur trefish më tepër se Beqja, me të njëjtin grup dhe të njëjtën skemë mashtrimi dhe falsifikimi dokumentesh. Ndryshimi i vetëm është se Beqja vodhi fondet e BE-së, ndërsa Kumbaro vodhi taksat e shqiptarëve.
Përveç Kumbaros, skandali thellohet me përfshirjen e Marinela Jazoj, këshilltare e jashtme e Ilir Beqjes dhe Mirela Kumbaros, Konsulle Nderi e Norvegjisë në Shqipëri dhe drejtore e kompanisë “FIAA”. Megjithë provat, SPAK dhe GJKKO fillimisht i dhanë masën “Arrest shtëpie” Jazojt, por më vonë e liruan dhe e hoqën nga hetimi.
Publik.al do të vazhdojë të hedhë dritë mbi këtë çështje, duke informuar publikun mbi çdo zhvillim të ri dhe duke kërkuar transparencë dhe përgjegjshmëri nga zyrtarët e lartë të përfshirë në këtë skandal të rëndë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



