Skandali! Si e kontrollonin OFL e syzeve nga SkyECC çunat e Arubës
“Dosjet i kemi në Policinë e Tiranës”
Bisedat nxjerrin në pah dyshimet për rrjedhje informacioni nga institucionet shtetërore
Jo vetëm lidhje me zyra shtetërore dhe akses në dokumente pronësie, por edhe informacion të brendshëm mbi një prej operacioneve më të mëdha kundër pasurive të dyshuara të krimit.
Ky është dyshimi që ngrihet nga hetimet e SPAK në dosjen e njohur si “Aruba”, ku anëtarët e grupit të hetuar pretendohet se kishin mundësi të merrnin të dhëna konfidenciale nga strukturat e Policisë së Tiranës, madje edhe në kohë reale.
Sipas komunikimeve të zbardhura në platformën e enkriptuar SkyECC, të cilat janë pjesë e dosjes hetimore, personat nën hetim diskutonin për detaje të një operacioni policor që kishte në objektiv kontrollin e mijëra personave dhe automjeteve.
Pikërisht këto komunikime, sipas SPAK, kanë qenë ndër provat që kanë bindur gjykatën për vendosjen e 20 masave të sigurisë ndaj personave të përfshirë në dosje.
Në një prej bisedave, anëtarët e grupit flasin për një aksion ku do të kalonin në verifikim rreth 12 mijë persona dhe 1500 automjete. Ata pretendojnë se operacioni do të zgjaste vetëm pak ditë dhe aludojnë se qëllimi i tij lidhej me përfitime financiare.
Në komunikime përmenden gjithashtu të dhëna mbi persona të caktuar, kompani dhe dokumente pronësie, ndërsa një prej personave pretendon se mund të siguronte edhe fotografi të dokumenteve nga ambientet e Policisë së Tiranës.
Bisedat e zbardhura nga SkyECC:
– Ja kishin çuar sot formularin.
– Po.
– Po s’kanë ça i bëjnë. Kush s’ka gjëra në emër, çojnë kot.
– Formularin.
– E di.
– Po unë kam 5 kompani. I kam në rregull shumicën, me kredi, me hua, me letra. Ishalla s’na vjen, thuaj.
– Ishalla.
– Por keq e kanë bërë.
– Këll po. Ka dosje për këll. Kaq kanë.
– Kurse për ty vetëm me të kapur e me të akuzuar njerëzit e tu, se s’kanë asgjë. S’kanë çfarë bëjnë. S’janë prova.
– O shok, këto shënime i ke në Drejtorinë e Policisë Tiranë, ta garantoj unë me jetë. Kanë dosje të pazbardhura.
– Po këto gjëra i kanë. Kanë përgjime ambientale dhe për këll.
– Po deshe fus unë një njeri të t’i çojë me foto çfarë kanë.
– Po m’i ka thënë me gojë këto gjëra që të thashë. Gjithsesi do t’i them t’i çojë me foto.
– Kish ardhur këtej Dubai.
– 12 mijë veta ishin për sit. 1500 makina për t’u bllokuar.
– Po edhe nja një javë dhe do e ulin ritmin.
Sipas hetimeve, këto komunikime janë interpretuar nga prokurorët si tregues se personat nën hetim kishin dijeni paraprake mbi procedurat policore dhe objektivat e një operacioni të gjerë kontrolli.
Hetimi tashmë synon të zbardhë jo vetëm mënyrën sesi siguroheshin këto informacione, por edhe nëse kishte persona brenda strukturave shtetërore që mundësonin rrjedhjen e të dhënave sensitive.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



