Skandaloze! 7 kamarierë dhunojnë turistin gjerman në Golem
Një tjetër denoncim për një incident të rëndë në një prej zonave turistike të vendit ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e pushuesve dhe sjelljen e stafit në disa biznese që operojnë gjatë sezonit veror.
Pas ngjarjes tragjike në Ksamil, ku një turist humbi jetën pas përplasjes me një punonjës të një subjekti turistik, një tjetër rast denoncohet këtë herë në Golem. Një qytetare pretendon se djali i saj është dhunuar nga punonjës të një lokali gjatë pushimeve.
Sipas denoncimit të bërë publik në media, ngjarja ka ndodhur më 12 gusht, rreth orës 22:30-23:00, në një lokal në zonën e Golemit.
Nëna e të riut tregon se djali i saj ndodhej me familjen dhe një grup miqsh gjatë pushimeve në Shqipëri. Familja, e cila jeton dhe punon prej më shumë se tre dekadash në Gjermani, kishte zgjedhur Golemin për të kaluar pushimet verore.
Sipas saj, i riu është përfshirë në një konflikt me stafin e lokalit dhe më pas është goditur fizikisht nga disa prej kamarierëve. Ajo pretendon se ka njoftuar edhe policinë, por efektivët nuk kanë mbërritur në kohë në vendngjarje.
Në pamjet e publikuara pas incidentit, i riu shfaqet me dëmtime dhe nxirje në fytyrë. Nëna e tij thotë se ngjarja ka shkaktuar tronditje të fortë psikologjike për familjen, ndërsa miqtë gjermanë që ndodheshin me të kanë mbetur gjithashtu të shokuar.
Në denoncimin e saj, A. Metushi kërkon që rasti të bëhet publik, duke e cilësuar të papranueshme që një turist të përfundojë i dhunuar gjatë pushimeve në Shqipëri.
“Djali im është shtetas gjerman, kemi 36 vite që jetojmë dhe punojmë atje, ky është një turp”, shprehet ajo në denoncimin e bërë publik.
Sipas pretendimit të saj, familjarët janë përpjekur të sigurojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të dokumentuar atë që ka ndodhur. Ajo thotë se materialet filmike nuk u janë vënë në dispozicion, as nga lokali ku pretendohet se ndodhi incidenti dhe as nga biznese të tjera pranë tij.

Denoncimi vjen në një sezon turistik ku disa episode të rënda kanë rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë, trajnimit dhe përzgjedhjes së personelit në strukturat që presin turistë.
Rasti i Golemit mbetet një denoncim i familjarëve, ndërsa zbardhja e plotë e rrethanave të incidentit dhe përgjegjësive të mundshme i takon autoriteteve përkatëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



