Socialistët ende pa një qëndrim për mandatin e Olta Xhaçkës

Deputetët do të mblidhen këtë të enjte në seancë plenare, ku tema më e rëndësishme e diskutimit, pritet që të jetë qëndrimi që do të mbajnë socialistët, për të dërguar apo jo në Gjykatën Kushtetuese, çështjen e mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka.

Seanca do të nisë në orën 10:00, ndërkohë që pavarësisht premtimit të lënë në Konferencën e Kryetarëve, se do të dilnin me një raport ditën e mërkurë, socialistët ende nuk kanë mbajtur një qëndrim zyrtar për kolegen e tyre Xhaçka.

Socialistët hezitojnë që të dërgojnë në Kushtetuese mandatin e saj, pasi Xhaçka akuzohet se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit. Gjatë kohës që ajo ishte pjesë e kabinetit Rama, qeveria votoi që bashkëshorti i saj Artan Gaçi të merrte statusin e investitorit strategjik, status i cili shkoi dëm, pasi trualli në të cilin ai do të zhvillohej u privatizua në mënyrë të paligjshme.

Për këtë çështje është sot pas hekurave ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, ndërkohë që dy sipërfaqe prej më shumë se 10 mijë metrash katrorë janë vënë nën sekuestro me kërkesë të SPAK, dhe miratim të Gjykatës së Posaçme.

Ndryshe nga socialistët, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, që përfaqësohet nga Gazment Bardhi, dorëzoi dje në Kuvend, raportin për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Në raport thuhej se duhet të jetë Gjykata Kushtetuese, ajo që duhet të konstatojë papajtueshmërinë me mandatin e Xhaçkës.

“Dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për të konstatuar papajtueshmërinë me mandatin e deputetes znj. Olta Xhacka, sipas Mocionit të paraqitur nga 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë”, thuhet në raportin e deputetëve të PD. Konkretisht, si rezultat i përdorimit të brigjeve të detit, e cila përbën pasuri shtetërore, për instalimin e stacioneve te plazhit në fshatin Gjilekë, Himarë, shoqëria “AG.TÇ” sh.p.k., në bashkëpronësi të bashkëshortit dhe të deputetes Xhaçka, do të siguroje të ardhura, çka përbën qartazi një veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit”, thuhej në raportin e publikuar edhe nga Kuvendi.

Sipas opozitës ish Ministres së Jashtme duhet t’i hiqet mandati i deputetes pasi është në konflikt interesi me shpalljen nga qeveria të bashkëshortit të saj Artan Gaçi investitor strategjik. Pas ankimimit në janarin e një viti më parë “Kushtetuesja” ia njohu këtë të drejtë opozitës dhe kërkoi që mandati i Olta Xhaçkës të shqyrtohet nga kjo gjykatë nw themel, pasi të votohet në parlament.

Çështja e mandatit të Xhaçkës kishte mbetur pa u diskutuar, ndërsa prej 23 janarit 2023, Gjykata Kushtetuese pranoi e kërkesën e 14 deputetëve të PD, për ta shfuqizuar vendimin e Parlamentit që miratoi raportin e mazhorancës për të mos e çuar mandatin e Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.

Publikuar nga Publik Media