Spiropali na tregon tezën e “shqiptarit të ri”
PODGORICË – Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar dje një takim në Akademinë Politike të Forumit Shqiptar në Podgoricë. Përmes një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale, Spiropali ka ndarë mbresat nga ky takim, duke u ndalur gjerësisht te ai që ajo e quan koncepti i “shqiptarit të ri”.
Megjithatë, përtej mesazhit frymëzues për rininë, disa prej fjalive të saj po lexohen në opinionin publik si një “thumb” i koduar ndaj kryeministrit Edi Rama, në një kohë kur situata politike në Tiranë është e nxehtë dhe mijëra qytetarë protestojnë poshtë zyrës së tij duke i kërkuar dorëheqjen.
“Shqiptari i ri” dhe mesazhi që po interpretohet si “kod” për Tiranën
Në postimin e saj, Spiropali vë theksin te ndryshimi i mentalitetit dhe nevoja për meritokraci, duke radhitur disa parime që, sipas analistëve, bien ndesh me realitetin e akuzave me të cilat po përballet qeveria aktualisht.
Ky pasazh specifik, ku përmendet zmbrapsja e “privilegjit” dhe “nënshtrimit”, ka nxitur menjëherë reagime, duke u parë si një distancim i lehtë apo mesazh i tërthortë drejtuar shefit të qeverisë në Tiranë.
Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:
“Zemra mal nga energjia në Akademinë Politike të Forumit Shqiptar, ku pashë diçka shumë më të madhe se një grup të rinjsh.
Ndjeva shqiptarët e rinj.
Nuk është thjesht një moshë, por një mentalitet. Ai djalë e ajo vajzë që nuk e mat veten me sa ka, por me sa di. Që nuk pyet “kë njoh”, por “çfarë mund të ndërtoj”. Shqiptari i ri është modeli që kombi ynë ka pritur me shekuj, por që vetëm sot ka guximin ta kërkojë kryelart. E pashë tek të rinjtë shqiptarë në Mal të Zi, burim frymëzimi, por në fakt ‘shqiptari i ri’ gjendet kudo ka shqiptarë!
Brezat para nesh luftuan për t’u çliruar e mbijetuar. Ata na dhanë gjuhën, flamurin, identitetin, dhe ne u jemi përjetësisht borxhli.
Por shqiptari i ri ka disa misione të tjera, si fitoren e dijes mbi injorancën, të meritës mbi privilegjin, të lirisë mbi nënshtrimin, të punës mbi pritjen.
Ky është dhe vizioni që na bashkon, shqiptarë të një gjaku kudo që rrahin zemrat tona, në Tiranë e në Tuz, në Ulqin, Plavë, Guci, Shkup, Preshevë e në Prishtinë, në çdo skaj të botës.
Të zhvilluar, të lirë. E ardhmja i përket atyre që guxojnë.
Faleminderit Forumit Shqiptar që po e ushqen këtë frymë. Faleminderit shqiptarëve të rinj kudo janë. Ju jeni dëshmia se Kombi ynë nuk ka vetëm të kaluar të lavdishme, por edhe të ardhme që do të na bëjë krenarë.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



