Spitali i Traumës i jep 1.1 milionë euro pa garë Gentian Krekës
Fakti që Ministrja e Shëndetësisë ndryshoi, nuk do të thotë aspak se vjedhjet kanë përfunduar. Përkundrazi, ato vazhdojnë më së miri, pa u penguar aspak. Në tenderin e sotshëm do të flasim për rastin e Spitalit Universitar të Traumës, i njohur në popull si ish-Spitali Ushtarak.

Ky spital ka shpërdoruar plot 1.1 milionë euro duke i dhënë tenderin firmës së vetme në garë. Bëhet fjalë për procedurën që mban numrin e referencës REF-90135-12-07-2023 dhe ka si objekt “Furnizim me materiale për terapinë renale zëvendësuese (CRRT, Dializa akute) në SUT”.
Fondi limit i kësaj procedurë është vlerësuar në shifrat 99,811,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.1 milionë euro përfshirë TVSH. Por duke hulumtuar në dokumentat e këtij tenderi fillojnë të dalin edhe çuditë.

Rezulton se ka marrë pjesë në garë vetëm kompania “INCOMED” në pronësi të Gentian Kreka. Kjo kompani ka ofruar shifrën 99,530,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.1 milionë euro përfshirë TVSH.
Në kushtet e një mungese të tillë të konkurrencës, fituese është shpallur pikërisht kjo kompani. Kuptohet qartë që abuzimi me këtë tender është maksimal kur shikohet se vlera fituese është thuajse 100% e barabartë me fondin limit. Ky është një tjetër fakt që vërteton se sa lehtë bëhen miliardat nëpërmjet abuzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanive farmaceutike.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



