Ta jetosh vetminë politike!

 KIM MEHMETI 

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut së shpejti do mbahen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Me çka partitë e këtushme kanë nisur betejën për të ardhur në pushtet dhe për ta drejtuar këtë shtet, ku politika është biznesi më fitimprurës dhe ku shumica e sunduesve veprojnë sipas mendësisë komunistë se kapitalist nuk bëhesh me punë, por duke e plaçkitur popullin dhe vendin tënd. Apo se në shtet çdo gjë mund të ndryshojë, por jo edhe çmimi i një votuesi, që nuk duhet ta tejkalojë atë të një deleje. Dhe se shoqëri demokratike është ajo ku një budalla me librezë partiake mund të përfaqësojë me qindra qytetarë të mençur dhe një funksionari hajdut i bie në hise të zhvatë e plaçkitë me mijëra qytetarë të ndershëm.

Beteja e partive të këtushme maqedonase e shqiptare për t’i forcuar koalicionet e tyre parazgjedhore ka shenjat e kah moçme të orvatjes t’i joshin e t’i përfitojnë partitë e etnive më të vogla etnike. Gjë që kryesuesit e këtushëm partiakë shqiptarë e maqedonas i bënë të shpërfaqin ndjenja “vëllazërore” e të një gjaku politik ndaj turqve, romëve, serbëve, boshnjakëve… Por jo edhe ndaj bullgarëve, të cilët nuk i dëshiron thuajse askush, mbase pse në Maqedoninë e sotme, ata qëmoti trajtohen si armiq të popullit e të shtetit, me çka çdokush që i përkrah ata rreshtohet në frontin antishtetëror. Dhe përderisa për partitë e etnisë maqedonase është sadopak e kuptueshme të jenë refuzuese ndaj bullgarëve që duan popullit të tyre t’ia ndryshojnë të dhënat në ‘Librin amzë të lindjes’, është krejt e pakuptimtë pse edhe partitë shqiptare udhëhiqen nga mendësia serbe dhe nuk bëjnë të duhurën që sot dhe në këto hapësira ta ripërtërijnë miqësinë e kohëve të Rilindjes kombëtare me popullin bullgar.

Po, në Maqedoninë parazgjedhore partitë shqiptare dhe ato maqedonase i forcojnë muskujt zgjedhorë nëpërmjet bashkëpunimit me partitë e turqve, romëve, serbëve, boshnjakëve, por jo edhe me ato bullgare. Me çka bullgarët e këtushëm janë lënë ta jetojnë vetmin e tyre parazgjedhore, duke u ndje si faktor i parëndësishëm politike. Dhe mbase edhe ta pyesin veten si u bë që nga faktor vendimtar e përcaktues në të shkuarën për fatin e këtij vendi e këtij populli, sot të jenë ‘armik’ i tyre. Dhe mu kjo vetmi e tyre politike parazgjedhore më së miri e shpalosë arsyen e heshtjes së bullgarëve të këtushëm, si dhe pse, shpeshherë ata janë të detyruar ta përdorin formulën që e shpikën maqedonasit e gjindshëm: të jetosh në kopenë e etnitetit tënd e të kryqëzohesh në kishë, por për të mbijetuar e për t’u punësuar nëpërmjet çelësit etnik, të deklarohesh se je shqiptarë i cili falet në xhami?!

Pra, kjo vetmi e tyre më së miri tregon se edhe Maqedonia e sotme është peng e mendësisë politike serbe, sipas së cilës mendësi, bullgarët e shqiptarët janë armiq të saj të natyrshëm dhe nëse nuk ia del dot t’i mohojë shqiptarët, atëherë duhet të bëjë çmos që t’i dobësojë sa më shumë e t’i mbajë sa më larg bullgarët. Edhe atë kryesisht duke ua rrezikuar mbijetesën dhe duke i heshtur, ashtu siç i heshtë dhe të gjithë të tjerët që janë të papërdorshëm për partitë politike. Ndërkohë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, individi nuk ka asnjë vlerë dhe nuk është askush nëse nuk voton për ‘hajdutokratët’ e vet që do e përfaqësojnë nëpër institucionet shtetërore dhe nëse nuk ka librezën e partisë së vet, e cila është ‘diploma’ më superiore për t’u punësua. Pra, në Maqedoni mund të jesh, por politikisht të mos ekzistosh, kur je në duart e atyre që bëjnë çmos për t’u dukur më shumë seç janë dhe ndryshe nga ajo që janë.

Po, në Republikën e Maqedonisë së Veriu afrohet dita e zgjedhjeve presidenciale e parlamentare. Dhe partitë maqedonase premtojnë se nuk do u nënshtrohen kërkesave bullgare dhe nuk do lejojnë dikush nga jashtë t’ua shkruaj historinë, e ato shqiptare betohen se e duan shtetin ku jetojnë dhe se atë do e çojnë drejt Perëndimit.

Ndërkohë, edhe njëri, edhe tjetri nuk duan të përballen me të vërtetën se sa më mirë e kanë drejtuesit partiakë, aq më keq e ka shteti dhe sa më shumë varfërohet populli, aq më shumë pasurohen pushtetarët. Siç nuk duan të përballen as me të vërtetën se shteti ku ata veprojnë, gjithnjë e më shumë kalbet nga brenda dhe se qytetarët e këtij vendi gjithnjë e më shumë ndjehen si numra të thjeshtë.

Numra që kanë vlerë vetëm gjatë regjistrimit periodik të popullsisë apo gjatë zgjedhjeve kur hapet panairi i shitblerjes së votave dhe kur ngrihen çadrat e cirkut parazgjedhorë.

Dhe kur në Republikën e Maqedonisë së Veriut fillon beteja për të përfituar sa më shumë votues, kur të gjithë i harrojnë ofendimet e djeshme të ndërsjella si dhe përkatësin etnike të atyre që do votojnë. Pra, kur partiakët i ndjejnë si vëllezër të gjithë përkrahësit dhe votuesit e vet. Gjë që nuk është fare e çuditshme në këtë vend ku jo vetëm përkatësia partiake, por edhe ajo etnike, për të mbijetuar, ndryshohet sezonalisht. Siç ndodhi, për shembull, me shqiptarët ortodoksë dhe pjesën dërmuese të bullgarëve, të cilët pasi e pranuan mendësinë politike serbe dhe mbase të lodhur nga vetmia politike, u asimiluan dhe u bënë maqedonas etnik.

Dhe jo vetëm aq, por që sot, ata të jenë ndër mbrojtësit më fanatik të etnitetit maqedonas nga rreziku shqiptarë dhe ai bullgarë.

Publikuar nga Publik Media