Tabaku zbret në tokë Ramën: Zoti dëshmitar jepni dorëheqjen!
Rama, Kryeministri i vendit, ishte dëshmitari i fundit i Komisionit Hetimor për Inceneratorët dhe dëshmitari që qëndroi më gjatë para deputetëve për t’iu përgjigjur pyetjeve.
Seanca ndaj tij nisi në orën 12:00 dhe përfundoi në orën 22:00 të mbrëmjes. Para se të vite në mbledhje, kreu i qeverisë tha se kishte mësuar mirë Rregulloren për Komisionet Hetimore dhe tentoi që të imponohej në mbarëvajtjen e mbledhjes. Por karshi hasi të njëjtën sjellje të kryetares së Komisionit, Jorida Tabaku, si me dëshmitarët e tjerë. Në fjalën e saj në drejtimin e komisionit, Tabaku iu drejtua Kryeministrit Rama me cilësinë si dëshmitar. Ndërkohë, nga ana tjetër, Tabaku kujtoi se dy ministra të qeverisë Rama ndodhen në burg.
“Nuk është krenari të shkosh në burg. Nuk është krenari që dy ministra të një qeverie kanë shkuar në burg dhe unë besoj që kanë shkuar në burg. Nuk ka Kryeministër në botë që vjen e merret më çdo deputet të opozitës dhe nuk mban asnjë përgjegjësi që dy ministra janë në burg. Ju që ditë e natë ndiqni në darkë projektin e inceneratorëve. Unë prandaj i ngrita pyetjet e mia. Me shqetësimin që në shtetin shqiptar, me aq pak sa e njoh unë shtetin shqiptar dhe pak çfarë ndodh në të gjithë botën në lidhje me përgjegjësitë individuale dhe kolektive. Në çdo vend tjetër të botës nuk gjykoni se një Kryeministër duhet të kishte dhënë dorëheqjen, pasi dy ministra janë në burg?”, tha Tabaku.
Por ndryshe nga dëshmitarët e tjerë që u paraqiten para komisionit, Kryeministri Edi Rama kishte në favor regjinë qendrore të Kuvendit. Për 4 muaj me radhë që zgjati Komisioni Hetimor për Inceneratorët, kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, ka pasur ekskluzivitetin e drejtimit të mbledhjes dhe ishte ajo e cila ua jepte dhe ua hiqte fjalën dëshmitarëve. Por duket se trajtimi i Kuvendit për Kryeministrin ishte preferencial. Dje nuk ishte Jorida Tabaku ajo e cila komandonte mikrofonat që ndodheshin në çdo karrige të deputetëve dhe të të ftuarve. Por ato komandoheshin nga një kompjuter që ndodhet në të njëjtën sallë, praktikisht regjia e komisionit. Po kështu, në mbledhjen e djeshme edhe funksionimi i kamerave të instaluara nga Kuvendi nuk ishte i njëjtë. Në praktikën e 4 muajve, fokusi i kamerës shkonte te personi që ndizte mikrofonin dhe merrte të drejtën për të folur. Ndërsa në mbledhjen e djeshme kamerat ishin statike dhe kontrolloheshin sërish nga regjia qendrore.
SHMANGIA E PËRGJEGJËSIVE
Ndërsa në vijim të dëshmisë, Kryeministri Rama iu shmang përgjegjësive për vendimmarrje në Këshillin e Ministrave dhe ndjekjen e procedurave pas dhënies së koncesionit. Kreu i qeverisë tha se detyra e tij është vetëm sa për të bërë politikat, pastaj procedurat i kryejnë hallkat e qeverisë, ku secili mban përgjegjësi individuale. “Ju se dini si funksionon qeveria, por s’ju vë faj, sepse s’keni qenë ndonjëherë në qeveri. Kryeministri është për politikat, ku do shkoj, si do ta bëjmë, ku do të shkojmë. Për të tjerat është makineria. Ndryshe nga ju, mua më rezulton se këtu është zbardhur rrota e vendimmarrjes. Nga pikëpamja e përgjegjësive individuale, ku organi i hetimit identifikon shkeljet.
Pushteti është i keq, tundon të madhin e të voglin. Duke pasur parasysh se më keni akuzuar për kreun e organizatës kriminale, unë jam heroikisht i sjellshëm. Por kur më pyet a e mban mend… por përse duhet të mbaj mend unë një mbledhje qeverie. Unë i qëndroj asaj mbledhjeje qeverie. A e mbani mend ju?! Mua mos më cito sipas qejfit. Fatkeqësisht për ju unë jam i gjallë. Jam me ju. Pyetja a e mban mend mbledhjen e qeverisë është kot. Nuk mbaj mënd asnjë mbledhje qeverie. Kjo është një mbledhje rutinë. Mbaj mend vetëm mbledhjen e qeverisë që vendosëm foton e Ismail Qemalit”, tha Kryeministri Rama. Por nënkryetarja Tabaku është shprehur se para komisionit, të gjithë dëshmitarët kanë dalë pa memorie. “Kur flasim për makineri ka përgjegjësi. Të gjithë këtu kanë pasur probleme që s’mbajnë mend. A e mbani mend kur ka kaluar VKM-ja për mbështetjen e financimit paraprake të Elbasanit?”, tha Tabaku.
NDRYSHIMI NË PASTRIMIN E PLEHRAVE
Edhe në këtë rast, kreu i qeverisë tha se nuk ka ndjekur procedurat teknike. “Ish-ministri s’është i akuzuar për një mbledhje qeverie. Ai është akuzuar për korrupsion që ai individualisht ka kryer me palën tjetër. Ndaj, kur fola pak më parë, kishte lidhje përgjigjja. Ajo është një marrëdhënie që dyshohet dhe duhet ta provoj gjykata. Por kjo nuk do të thotë që plehrat nuk janë pastruar dhe impiantet nuk janë ndërtuar. Unë jam në dijeni që në Elbasan dhe Fier janë ndërtuar dy vepra. Të flasësh për Shqipërinë që ishte një grup plehrash në 2013-ën. E mbështes të gjithë këtë punë të bërë. Jam krenar, sepse në 2013-ën vetëm gjysma e popullsisë mbulonin me grumbullimin e mbetjeve. Ndërsa në gjysmën tjetër nuk kishte grumbullim plehrash. Nëse gjysma e popullsisë mbulohej në 2013-ën, sot mbulohet 87-90% e popullsisë. Sot kemi 5 impiante dhe paralelisht kemi Beratin, Durrësin, Maliqin në Korçën dhe Vlorën. Ndërsa Kukësi në proces. Sot mbulojmë pjesën me të madhe. Financimi është pjesë e këtij plani. Që kur isha në krye të bashkisë, janë ëndrra të vjetra po të ishin ndërtuar atëherë, Shqipëria do të ishte ndryshe”, vijoi Rama.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



