E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Të dashurit e mi, mos më harroni. Nëse më harroni mua,keni harruar gjeonocidin edhe Srebrenicën
Publik News

Të dashurit e mi, mos më harroni. Nëse më harroni mua,keni harruar gjeonocidin edhe Srebrenicën

Kam lindur para 25 vitesh, më 12 korrik 1995 në Potoçari, fshat ky afër qytetit të Srebrenicës. Jam studente e vitit të fundit në fakultetin filozofik në Sarajevë. Pos suksesit që e kam të shkëlqyeshëm, jam edhe studentja e preferuar e shumicës së profesorëve. Jam edhe kryepersonazhi dhe më e dashura e shoqërisë.

Është herët, diku rreth orës 7 e mëngjesit. Hapa dritaren e terracës dhe jashtë pashë përditshmërinë. Njerëzit i jepnin me të shpejtë këmbëve nëpër Bashçarshi, secili punëve të veta. Të papunët, në shoqërinë e kafes rrihnin tema të ndryshme. Thitha ajrin e freskët, ndërsa dritaren e lash hapur të ajroset dhoma. Hyra ne banjo dhe morra abdes. Vesha sandalet dhe mbulova kokën me shaminë e zezë, dhuratë që më dha nëna pak para se të shpërngulesha për në Sarajevë. Ishte mbulesa e saj e preferuar te cilën e hidhte kokës secilin mëngjes kur e pangopur gjumë dhe e rraskapitur ngrihej për të më përgatitur mëngjesin për shkollë. “Bija ime, mos iu afro veturave, rri larg të panjohurve, dhe dëgjo arsimtarët”. O Zot, sa herë më kishte përsëritur këto këshilla. Nejse, vesha fustanin e hirtë, shpalosa sexhaden dhuratë nga baba Hajro edhe fala dy rekate namaz sabahu. Dhash selam, morra tespihët dhe ngrita duart lart kah qielli. U ngrita ne këmbë dhe hoqa shaminë nga koka. Ajo ende ka aromën e nënës. O Zot sa shumë më mungon….

Sot kam provimin e fundit në fakultet, letërsinë anglofone.
E mbylla derën e banesës dhe eca Bashçarshisë, ndoshta për herë të fundit si studente. Arrita ne fakultet ku tani më më prisnin profesori me asistentin e tij.
“Kolege, – më pyet profesori , ” a je gati ti japim fund kësaj pune sot? ”
” Po , faleminderit Zotit”, u përgjigja.
Pas 15 minutash përgjigje profesori u ngrit në këmbë dhe më ndëpreu me përqafim.
”Unë kurrë nuk kam parë një studente kaq të zellshme, të kujdesshme. Shpresoj kurrë mos të të shoh më këtu si studente” .
Gati është. Ikën 8 semestra e dhjetëra netë pa gjumë. Jo, jo dhjetëra por qindra netë pa gjumë. Dhjetëra mëngjese zgjimi në tavolinën e punës, por falë Zotit të madh edhe kjo mori fund. Ia ka vlejtur mundi.
Nga fakulteti nisem për në banesë ku e marr valixhen të cilën e kisha bërë gati qysh dje dhe menjëherë shkoj në stacion të autobusave. Paramendoj reagimin e prindërve të mi dhe dy axhallarëve kur të u shfaqem në pragun e shtëpisë, ashtu pa paralajmërim, dhe kur të marr myzhde.

Arrij në stacionin e autobusëve në Srebrenicë megjithatë diçka është e çuditshme. Më saktë diçka është ndryshe. Kthehem prapa në kohë dhe nuk mbaj mend të më ketë thënë nëna të ketë ndodhur diqka në qytet, diçka që do të mund të kishte ndryshuar pozitivitetin e Srebrenicasve. Kaloj qendrës dhe nuk shoh shpirt të gjallë.
“Me siguri janë pranë lumejve, nëpër pishina ose edhe në det”, mendova. Gjithmonë kam qenë optimiste, dhe kjo nuk ka për të ndryshuar.

Arrita në shtëpi, dhe trupin ma kaplojnë disa të dridhura. Lëkura më ftohet dhe ballin ma mbulojnë djersë. I bie ziles, por askush nuk përgjigjet. I bie ziles përsëri, njejtë. Shkoj dhe i bie ziles edhe te fqinjët e parë, edhe aty e njejta situatë. Kthehem te shtëpia ime dhe me dorën që më dridhet shtyej derën, e cila me ngadalë filloi të hapet, për habinë time. “Babi asnjëherë nuk e lë derën hapur kur del jashtë. Njejtë edhe nëna. Edhe axhallarët. Hapa derën dhe…”

Quhem Fatima Muhic, lindur me 12 korrik në vitin 1995, në bazën ushtarake UNPROFOR.

Jo, nuk shkoj në fakultetin filozofik në Sarajevë . Jo, nuk jam 25 vjeçe, aq sa do të duhej të isha. Jo, nuk jam gjallë. Më vranë disa orë pas lindjes. Ime më, nuk ia doli as emër të më lë pas lindjes. Më morën prej përqafimit të saj dhe më dërguan larg gjirit e larg kujdesit të saj, kur atë e kisha më se të nevojshëm.
Para tetë vitesh, me 10 dhjetor 2012, u gjeta në varr masiv.
Nuk ishte e lehtë të më gjejnë e lëre më të identifikojnë eshtrat e mia. Eshtrat e një foshnje.

Pyes veten, çfarë u kam bërë këtyre njerëzve në më pak se një ditë jete? Po ta dija vetëm arsyen do ta korrigjoja atë gabim, vetëm për të qëndruar gjallë, të rritesha me nënën dhe gjyshen time. Të shkoja në mekteb, të mbaroja shkollë e fakultetin.
Gjithçka që unë doja ishte pak dashuri e pak vëmendje. Gjithçka që munda, desha e dashuroja, sigurisht që nuk guxova prej jush. Çka ju kam bërë? A më vratë se e dinit se në të ardhmen ky fëmijë do u fuste frikën në palcë? E edhe me kaq ia kam dalë. Shpresoj të u shfaqem në ëndër secilën natë. Ty që urdhërove vrasjen. Edhe ty që lejove të vritem. Ty që më mbajte në krah e ty që shkrepe armën. Ty që më hodhe në varr masiv. Ty që mblidhje eshtrat e mija të buta e i bartje prej një varr te tjetri. E te i treti, e te i katërti. Mos i qoftë falë secilit që kishte mundësi të parandalojë vrasjen time, e nuk e bëri. Shpresoj që çdo 11 korrik, kur të shikoni transmetimin live të vizitave në varreza të u kap ankthi e të u mbulojnë djersë të ftohta kur të shfaqet varri im, e nishani me vitin e lindjes e vitin e vdekjes. Si mendoni, si ndihej nëna ime kur më ndatë nga ajo e kur më dërguat në vdekje. Si mendoni? Sa zemërim duhet dikush të ketë në vete për të vrarë një të pafajshme, një të posalindur?

Të dashur boshnjakë, burra e gra, të dashur njerëz nga mbarë bota, unë jam një paralajmërim e një dëshmi se Srebrencia ngjau. Se atje kishte gjeonocid. Se kishte luftë. Se janë edhe 8371 viktima , të cilët janë duke pritur rradhën e tyre për të folur.

Të dashurit e mi, mos më harroni. Nëse më harroni mua, keni harruar gjeonocidin edhe Srebrenicën.
Dhe unë këtë nuk ua kisha falur ashjëherë.

Fatima është viktima më e vogël e gjenocidit. Ajo u vra natën kur lindi. Emrin Fatima ia kanë lënë pas vdekjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.