Të hënën nis revolucioni i Shekullit: Çohu rini e thuaja këngës që ti di” Noizy free, Noizy free”

Sytki Spici

Mos kini frikë nga vapa e gushtit! O sot o kurrë! Nëse je i ri apo e re dhe po bën plazh në Palasë, Himarë, Velipojë, apo në ndonjë skutë tjetër të Shqipërisë, braktisi urgjentisht pishinat dhe ujërat e freskët të Valbonës. Harrojini problemet e përditshme, harrojini faturat e energjisë që po të djegin xhepin më shumë se dielli mbi kokë! Një mision sublim ju thërret: të shpëtojmë Noizyn nga ekstradimi në Kosovë!

Nën kujdesin personal të kryetarit të bashkisë dhe kryeministrit, të hënën para zyrës së Ulsi Manjës do të zhvillohet ngjarja epike. Përveç mundësisë për të shpëtuar një yll të showbiz-it, protestuesit do të gëzojnë privilegjin e sufllaqeve falas, këngëve të vërteta e madje dhe një bidon me ujë për t’u freskuar, sepse dihet që patriotizmi kërkon sakrifica, por edhe freskim!

Sigurisht, dikush mund të ngatërrohet dhe të mendojë se ky është një skenar qesharak, një meme e çmendur që qarkullon në rrjetet sociale. Kush  mendje e shëndoshë do të mblidhej në shesh për një kauzë kaq “të rëndësishme”? Por jo, ky është realiteti ynë! Ndërsa xhepat e shqiptarëve janë boshatisur nga miliona euro të zhdukura si me magji, një pjesë e popullsisë zgjedh të mobilizohet për të mbrojtur një person që refuzon të përballet me pasojat e veprimeve të tij.

Zgjohu rini! Hallakatur plazheve ti mos rri! O sot o kurrë Noizy ka nevojë për liri!  Lini gjithçka dhe vraponi drejt  sheshit   për të mbrojtur Noizyn. Sor atdheu ju thërret ! Noizy  nuk është thjeshtë  një yll i showbiz-it! Çohu rini, e thuaja këngës më të bukur që di ti! Noizy Free, Noizy free!

Publikuar nga Publik Media