TË NGOPUR,POR TË URITUR
Çdo ditë në fb shoh plot foto me ushqime. Sidomos nga emigrantët. Bollëk i madh. E di që nuk e bëjnë për zili ndaj shqiptarëve të varfer në atdhe. Nuk tregojnë tavolina me mishra e pije për të thënë sa të pasur janë. Rreshtojnë pjatat që t’i mbushin mendjen vetes se ia vlejti që e braktisëm atë vend me sherre,me hajdutë,me trafikantë e vrasës. Zbutin dhe dhembkën që lanë pas.
Por sa ngrihet e pastrohet ajo tavolinë,sa hiqen pjatat e shishet,askujt nuk i vjen në fyt gromësima e kënaqësisë. Se ndër tru nis shëtit malli për ata që ke lënë larg. Për prindërit,fisin,varret. Për çastet kur puthe së pari,kur fjete me këpucët e reja poshtë jastëkut,kur pe blirin që çeli e të spërkati me aromë,kur gjyshja të veshi çorapet që i beri për tërë natën me shtizat e gjera,kur babai të përqafoi për dhjetën e aritmetikës,kur recitove pa e harruar vjershën,kur të erdhi krejt klasa në spital se u operove nga bajamet… Eshtë një botë e tërë qe kemi lënë pas. Rendëm e vrapojmë përditë për një tavolinë a një makinë,por humbëm veten,zbehëm kujtimet,hirnosëm ëndërrat.
Dukemi të ngopur në dreka e darka atje larg,shumë larg. Ndërsa shpirti ka uri,shumë uri për atë cepin e vogël,që në glob nuk duket,është sa një therrime. Por që zemrën e kujtdo e bën thërrime,thërrime çdo ditë,çdo natë,përherë… Godet papushim si pika e shiut mbi gurin e pragut të shtëpisë. Pik,pik,pik…Ah,uria e mallit të pashuar! Ah!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



