Telefoni i financieres fundosi rrjetin e call-centerave në Tiranë
Dosja që zbuloi skemën e mashtrimit online me viktima të huaja
Këqyrja e një aparati telefonik të sekuestruar nga policia ndaj financieres Aida Vokli ka hapur një nga pistat kryesore të hetimit për një rrjet call-centerash në Tiranë, të dyshuar për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda.
Sipas të dhënave të dosjes hetimore, komunikimet e gjetura në telefonin e Voklit kanë orientuar prokurorinë drejt disa ambienteve të marra me qira në zona të ndryshme të kryeqytetit, përfshirë Liqenin e Thatë, ish-Bllokun dhe zonën e “Downtown”. Në këto komunikime përmendeshin kontrata qiraje, çmime ambientesh, pagesa, emra organizatorësh, lista punonjësish dhe rolet operative brenda skemës.
Aida Vokli rezulton bashkëjetuese e Ledio Toçit, person i proceduar dhe i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës.
Pas analizimit të këtyre komunikimeve, më 16 qershor 2026, Gjykata e Tiranës miratoi disa vendime kontrolli të kërkuara nga prokuroria. Operacioni çoi në sekuestrimin e dhjetëra kompjuterëve, laptopëve dhe telefonave celularë, si dhe në arrestimin e Albi Shtyllës, Egi Nelës, Bjorn Karecos, Zizo Azizit, shtetasit paraguajan Luis Enrique Rojas Masri dhe dy shtetasve nga Angola, Simao Lopez Samuel dhe Jose Inocencio Canda.
Të gjithë u proceduan për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda.
Një nga ambientet e kontrolluara lidhet me kompaninë “Magnolia Group”. Nga aktet rezulton se më 18 shtator 2023, Xhoni Hitaj ka hapur shoqërinë “Magnolia Group”, me pikë veprimi në zonën e Liqenit. Më 7 mars 2024, Hitaj ka hapur edhe kompaninë “Koppa Network”, me adresë veprimi në katin e tretë të “Downtown”. Po ashtu, në vitin 2022 ai rezulton të ketë hapur edhe dy shoqëri të tjera pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, me objekt aktiviteti të lidhur me shërbimet call-center.
Kontrolle janë ushtruar edhe në subjektin “AM Studio”, me pronar Algers Mahilaj. Kjo shoqëri është hapur më 2 mars 2026 dhe ushtronte aktivitet në zonën e Liqenit të Thatë. Mahilaj rezulton gjithashtu pronar i kompanisë “Go Media”, një tjetër subjekt me aktivitet në fushën e call-centerave, të cilin e ka marrë në nëntor 2025 pas blerjes së 100 për qind të aksioneve nga Fabjano Kanto për vlerën 1 milion lekë të vjetra.
Në ambientet e “AM Studio”, hetuesit gjetën shënime operative në kompjuterë, të emërtuara “Note 2”, “Note 3” e të ngjashme, ku renditeshin të dhëna personale dhe financiare të shtetasve të huaj, kryesisht kanadezë dhe italianë, bashkë me udhëzime për oraret e telefonatave.
Në të njëjtin kompjuter u gjet edhe një skript prezantimi, ku operatori përdorte pseudonimin “Mike Hudson” dhe paraqitej si avokat i “RR Law Firm”. Ky element ngre dyshime për përdorimin e identiteteve të rreme profesionale për të krijuar besueshmëri te viktimat.
Në një tjetër post pune u konstatuan aplikacione si “MicroSIP”, me përdoruesin “Luca”, “TeamViewer” dhe “WireGuard”. Këto programe dyshohet se përdoreshin për komunikime, kontroll në distancë dhe fshehje të gjurmëve teknike. Në pajisje u gjetën edhe skedarë “Excel” me të dhëna të shtetasve të huaj.
Në një telefon Samsung “Galaxy A05”, të gjetur pranë këtij posti pune, u evidentuan mesazhe në gjuhën italiane të dërguara nën emrat “Luca” dhe “Lucas”, si dhe fotografi pasaportash dhe dokumentesh identifikimi të shtetasve gjermanë dhe austriakë, të grumbulluara gjatë viteve 2024–2026.
Në këtë ambient u sekuestruan 27 njësi qendrore, 2 laptopë dhe 9 telefona celularë. Në flagrancë u arrestuan Albi Shtylla dhe Egi Nela.
Një tjetër subjekt i kontrolluar ishte “Elevante Pulse”, me administrator dhe pronar Igli Margjini. Kompania ushtronte aktivitet call-center në zonën e ish-Bllokut, pranë godinës së LSI-së. Në komunikimet mes financieres Aida Vokli dhe shtetases Vjollca Rakipi flitej për kontrata që do të revokoheshin, kontrata të reja që do të lidheshin dhe pagesa për dy ambiente të marra me qira nga Igli Margjini.
Hetimi u shtri edhe te pika e call-centerit e administruar nga Dervish Musa. Ky i fundit ka hapur NIPT-in fizik më 8 gusht 2023 dhe e ka pezulluar aktivitetin më 10 qershor 2026, pak ditë para kontrolleve.
Në këtë ambient policia gjeti 32 persona të pranishëm, mes tyre edhe shtetas brazilianë dhe francezë. Sipas dosjes, në momentet e para të ndërhyrjes së policisë, një nga personat nën hetim uli automatin elektrik, duke shkaktuar fikjen e të gjithë kompjuterëve të rrjetit dhe humbjen e të dhënave aktive. Pas rindezjes, pajisjet rezultuan të kthyera në gjendje fillestare, pa aplikacione të hapura.
Lina Nina, e pyetur si person që ka dijeni për veprën penale, ka deklaruar se punonte prej afro dy muajsh në këtë call-center si ndihmës ekonomiste. Ajo ka pohuar se administrator ishte Dervish Musa, ndërsa menaxher Zizo Azizi.
Sipas deklarimit të saj, në zyrën e financës ndodheshin edhe një person i quajtur Luis, që merrej me rekrutimin e shtetasve të huaj, si dhe një tjetër person me emrin Valerio, që kryente funksionin e IT-së. Gjuha e përdorur në këtë call-center ishte anglisht dhe spanjisht.
Lina Nina ka deklaruar se punën e kishte gjetur përmes Instagramit, nëpërmjet një vajze të prezantuar si Sara Hoxha, dhe se paguhej në të zezë, me para në dorë nga menaxheri Zizo Azizi.
Ndërkohë, Bjorn Kareco ka deklaruar se punonte prej rreth katër muajsh si IT në këtë call-center dhe se merrej me formatimin e kompjuterëve dhe pajisjen e njësive me aksesorët përkatës. Në çantën e tij u gjetën 46 mijë euro. Ai ka pranuar se çanta ishte e tij, por ka mohuar pronësinë mbi shumën e parave, duke deklaruar se nuk kishte dijeni se kush i kishte futur aty.
Kareco ka deklaruar se paguhej 1 mijë euro në muaj nga punonjësja e financës, Lina Nora. Në një tjetër deklarim, ai ka thënë se vendin e punës e kishte gjetur përmes Instagramit dhe kishte komunikuar online me një shtetase të quajtur Chris, në gjuhën greke. Sipas tij, ajo i kishte thënë se kompania ishte e licencuar dhe se do të ngrihej një grup për suportin e klientëve grekë, me pozicion operatori dhe pagë 1.500 euro.
Dosja hetimore tregon se hetimi ka nisur pas informacioneve të ardhura nga autoritetet austriake. Drejtoria për Hetimet e Krimeve Kibernetike pranë Policisë së Shtetit ka referuar dyshime se shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Evropian janë mashtruar financiarisht, duke pësuar humbje të mëdha.
Sipas të dhënave të strukturave partnere, aktiviteti kriminal kryhej nga shtetas shqiptarë që përdornin rrjetin e internetit në Shqipëri. Pikat e dyshuara të call-centerave ishin të shpërndara në disa zona të Tiranës: në ish-Bllok pranë klubit “Shqiponja”, ku dyshohet se drejtonte një person i njohur si “Faja”; në zonën e “Kristal Center”, ku përmendet Xhoel Mekolli; në “Downtown”, në katin e tretë, ku përmendet “Devi”; dhe në zonën e Liqenit të Thatë, ku përmendet Dervish Musa.
Nga kontratat e qirasë te komunikimet financiare, nga skriptet mashtruese te përdorimi i pseudonimeve, nga dokumentet e huaja të gjetura në celularë te aplikacionet për kontroll në distancë, dosja ngre dyshime për një strukturë të organizuar që funksiononte jo si call-center i zakonshëm, por si mekanizëm për mashtrim financiar ndërkombëtar.
Hetimi tashmë pritet të zbardhë rolet e plota të administratorëve, financuesve, rekrutuesve, IT-ve dhe operatorëve, si dhe destinacionin e parave të përfituara nga viktimat e huaja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



