E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tensionet te Kuvendi, Erion Braçe: Ra shteti!
Lajme

Tensionet te Kuvendi, Erion Braçe: Ra shteti!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ku u shënuan përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Braçe dënoi dhunën ndaj efektivëve të policisë, duke e konsideruar atë një kërcënim serioz për rendin dhe stabilitetin e vendit. Ai theksoi se situata gjatë protestës ka qenë e tensionuar dhe se janë sulmuar deputetë pa dallim.

Deputeti socialist u ndal veçanërisht te sulmet ndaj uniformës së policisë, duke paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë dobësimi i autoritetit të shtetit.

Deklarata e plotë e Erion Braçes:

“Prej gati tre orësh, në rrethinat e Parlamentit, në hyrje dhe dalje të tij, janë sulmuar deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk janë sulmuar vetëm deputetët e Partisë Socialiste, por çdo deputet, jo vetëm burrat, por edhe gratë.

Tani dua t’i drejtohem Policisë së Shtetit. Në rast se i keni shoqëruar, ose kërkoni t’i shoqëroni sepse kanë qëlluar me vezë makinën time, bëni një gabim shumë të madh. Gjërat e mia di t’i zgjidh vetë. Nuk kam pasur nevojë për askënd sot dhe nuk kam nevojë as tani. Ajo që mua më shqetëson është dora e ngritur dhe goditja ndaj policit të shtetit.

Nëse goditet një deputet, natyrisht është e rëndë, sepse ka të bëjë me sovranitetin e Kuvendit. Por në rast se goditet polici i shtetit, kjo nuk është ‘Shqipëria e re’, por është kaosi i ri. Sepse, nëse bie polici i shtetit, bie shteti.

Nuk bie as Partia Socialiste dhe nuk bie as sistemi për të cilin dërdëllisin këta në rrjetet sociale, por bie shteti. Ky vend e ka vuajtur shumë rënien e shtetit. Shikojeni foton duke u goditur polici i shtetit”, deklaroi Braçe.

Reagimi i tij vjen në një kohë tensionesh të larta politike, ku protestat dhe përplasjet kanë rikthyer debatin mbi sigurinë publike dhe funksionimin e institucioneve në vend.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.