E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Thaçi i nis letēr Albin Kurtit: Ju rikujtoj që mandati im kushtetues më detyron që…
Publik News

Thaçi i nis letēr Albin Kurtit: Ju rikujtoj që mandati im kushtetues më detyron që…

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar një letër tjetër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti – njëherësh kryeministër në detyrë – duke kërkuar nga ky subjekt që si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, të dërgojë emrin e ri për mandatarin për kryeministër.

Kjo është letra e tretë që presidenti Thaçi ia shkruan Vetëvendosjes që nga votimi në Kuvendin e Kosovës, muajin e kaluar, për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Përmes letrës, Thaçi i kërkon Kurtit që brenda një periudhe të arsyeshme kohore të propozojë kandidatin për kryeministër, për të formuar qeverinë e re.

“Ju rikujtoj që mandati im kushtetues më obligon që të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe sigurimin e emërimit të kandidatit për kryeministër, për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Thaçi.

“Askush nuk ka të drejtë t’i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës për të pasur kandidatin për kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur qeverinë, siç përcaktohet në nenin 65 (8) të Kushtetutës”, thekson letra.

Që nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, më 25 mars, Vetëvendosje nuk i është përgjigjur ftesës së presidentit Hashim Thaçi për të dhënë një emër të ri për mandatar për të formuar qeverinë.

Në një letër të fundit, që kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ia ka nisur presidentit Thaçi, është thënë se ky i fundit po “përdor standarde të dyfishta kur po kërkon emrin e mandatarit nga Vetëvendosje” dhe se “vendi duhet të shkojë në zgjedhje menjëherë pas kalimit të situatës me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi”.

Koalicioni qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është prishur pasi Kurti ka shkarkuar nga pozita e ministrit të Brendshëm, Agim Veliun, e LDK-së.

Pas shkarkimit, LDK-ja ka iniciuar mocion mosbesimi, i cili ka marrë votat e nevojshme pasi është nxjerrë në kuvend. REL

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.