Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim të përbashkët me homologun e tij serb, në Shtëpinë e Bardhë, SHBA.
Përmes një njoftimi në faqen e tij në ‘Facebook’, Thaçi ka njoftuar se ka përfunduar takimin me Aleksandër Vuçiç, por pa dhënë detaje mbi këtë takim.
Thaçi deklaron se shumë shpejt pret që me anë të një raportimi në Kuvend, të njoftojë deputetët dhe qytetarët e Kosovës mbi detajet e takimit të sotëm.
Postimi i Hashim Thaçit
Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump.
Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm.
Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë.
SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë! HTH



