Thirrja e AKU: Nëse keni blerë këtë qumësht, kthejeni sërish
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA”, pasi është konstatuar prania e një bakteri potencialisht të rrezikshëm, Bacillus cereus.
Sipas AKU-së, trupat inspektuese janë angazhuar në terren për të verifikuar situatën dhe për të larguar produktin nga të gjitha pikat e shitjes ku është konstatuar prania e tij. Njëkohësisht, institucioni u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e përdorin dhe ta kthejnë atë pranë subjektit ku është blerë.
Bakteri Bacillus cereus mund të prodhojë toksinën cereulide, e cila shkakton simptoma të shpejta helmimi ushqimor, si të vjella të forta dhe dhimbje barku, duke përbërë rrezik serioz sidomos për foshnjat.
Në njoftimin zyrtar, AKU bën me dije se alarmi është ngritur pas një sinjalizimi të ardhur nga Sistemi Evropian i Alarmit për Ushqimin (RASFF), me numër reference 2026.0663. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prania e toksinës cereulide në formulën për foshnja.
Të dhënat identifikuese të produktit të tërhequr janë:
-
Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED
-
Numri i artikullit: 172911
-
Data e skadencës: 10.11.2026
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit garanton se po ndjek nga afër procesin e tërheqjes dhe rithekson rëndësinë e bashkëpunimit të konsumatorëve për garantimin e sigurisë ushqimore.
“Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët”, thekson AKU në njoftimin e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



