Tiranë/ Shtrenjtohen me 20% qiratë e apartamenteve
Nga shtatori 2024, qiratë e apartamenteve dhe zyrave në Tiranë janë rritur me rreth 20% krahasuar me vitin e kaluar. Sipas agjentëve të pasurive të patundshme, ky shtrenjtim vjen për shkak të kufizimit të ofertës nga përdorimi i apartamenteve për qira ditore në platforma si Airbnb dhe rritjes së kërkesës për strehim afatgjatë, sidomos në zonat qendrore të qytetit. Rritja e çmimeve pritet të vazhdojë, pasi fluksi i turistëve në kryeqytet është gjithnjë në rritje dhe po zvogëlon më tej mundësitë e qirave afatgjata.
Stela Dhami, menaxhere e agjencisë Colliers International Albania, shpjegon se çmimet e qirave për apartamente 1+1 në zonat kryesore të Tiranës variojnë aktualisht nga 500 deri në 800 euro në muaj, ndërsa për apartamente 2+1, çmimet variojnë nga 800 deri në 2,500 euro. Në periferitë e kryeqytetit, çmimet për vila dhe banesa të mëdha me hapësira të gjelbra arrijnë deri në 10,000 euro në muaj.
Në të njëjtën kohë, çmimet e apartamenteve brenda Unazës së Vogël janë rritur ndjeshëm. Për apartamentet 1+1, qiratë fillojnë nga 500 euro në muaj dhe arrijnë deri në 800 euro pranë stadiumit “Air Albania,” ku çmimet për apartamente 2+1 arrijnë deri në 1,300 euro. Në zonën e ish-Bllokut, qiratë për apartamente 1+1 janë rritur nga 750 në 800 euro, dhe për 2+1 variojnë nga 1,000 deri në 1,300 euro, duke shfaqur një rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin e kaluar.
Në periferi të Tiranës, rritja e çmimeve është gjithashtu e ndjeshme. Në zonat si Kinostudio, Astir, dhe Fresku, qiratë për apartamente 1+1 variojnë nga 350 deri në 600 euro, ndërsa për 2+1 arrijnë deri në 900 euro. Zhvillimet urbanistike dhe infrastrukturore në këto zona po ndikojnë gjithashtu në shtrenjtimin e mëtejshëm të pronave.
Një faktor kryesor në rritjen e çmimeve të qirave është shtimi i apartamenteve që ofrohen për qira ditore për turistët. Ndërsa numri i turistëve të huaj në Tiranë është rritur, shumë pronarë kanë preferuar të ofrojnë apartamentet për qira ditore në platforma si Airbnb, duke zvogëluar stokun e pronave të disponueshme për qira afatgjatë dhe duke krijuar presion për rritjen e çmimeve për banorët vendas.
Për shkak të këtij kufizimi të ofertës, banorët lokalë, veçanërisht çiftet e reja që nuk mund të përballojnë blerjen e një apartamenti, po hasin vështirësi për të gjetur strehim të përballueshëm me qira. Sipas përfaqësuesve të agjencive imobiliare, në Tiranë po rritet gjithashtu kërkesa nga të huajt që punojnë në distancë dhe që zgjedhin të jetojnë përkohësisht në Shqipëri për shkak të kostove më të ulëta të jetesës.
Një faktor tjetër që ndikon në shtrenjtimin e qirave është edhe rritja e çmimeve të shitjes së apartamenteve, që e bën më të leverdishme për pronarët ofrimin e pronave me qira ditore sesa afatgjatë. Për më tepër, një numër i konsiderueshëm pronarësh arrin të gjenerojë të ardhurat e një muaji vetëm përmes 10-15 ditëve qira ditore, duke reduktuar më tej disponueshmërinë e pronave për qira afatgjatë.
Në vendet si Portugalia dhe Spanja, të cilat kanë përjetuar sfida të ngjashme nga rritja e platformave si Airbnb, qeveritë kanë ndërhyrë me politika për të mbrojtur tregun e banimit dhe për të lehtësuar presionin ndaj qytetarëve lokalë. Në Shqipëri, ende nuk ka një ndërhyrje të ngjashme në nivel lokal ose qendror për të rregulluar tregun e qirave afatgjata dhe për të mbrojtur banorët vendas nga rritja e çmimeve të qirave.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



