Tonini jep Shpresës 660 MLN Lekë për rikonstruktimin e 6 km rrugë në Malësi të Madhe
Tonin Marinaj, kryetar i bashkisë në Malësinë e Madhe ka hapur qesen e fondeve dhe po i shpërndan pa meritë tek miqtë e tij. Ai ka firmosur më datë 26 qershor tenderin me objekt “Sistemim Asfaltim Rruga Koplik-Sterbeq-Jubice-Kamice”.
Sikur duket edhe në foto bëhet fjalë për një rrugë dytësore që do të lidhë këto zona dhe ka nevojë për rikonstruktim. Sipas të dhënave të tenderit bëhet fjalë për një rrugë që shkon maksimumi 6 kilometra dhe për një shtresë asfalt që Marinaj do t’i hedh asaj do të shpenzojë 660 milionë lekë.

Ndërkohë vëmë re se tenderi është hapur që në muajin mars, por bashkia ka shpallur fituesin pas 3 muajsh. Dhe pavarësisht kohës në dispozicion procedurat nuk janë kryer në mënyrë të rregullt.
Për këtë tenderit i është vendosur “Red Flag” nga portali monitorues “Open Data Albania”. Në dokument shkelja e parë që evidentohet është mungesa e konkurrencës. Në fakt kanë qenë 9 firma që kanë shfaqur interes, por 8 janë përjashtuar menjëherë nga gara, duke lënë në fuqi vetëm ofertën e bashkimit të operatorëve Laçaj shpk & Nika shpk.

Kjo e fundit e drejtuar nga Shpresa Nika njihet tashmë për aferat e shumta që përfiton nga bashkitë, më së shumti nga Bashkia Tiranë. Kështu, edhe këtë kontratë e ka përpirë pa u munduar fare. Oferta e tyre kapte vlerat 600 milionë lekë, pra sa 84% e fondit limit. Kjo shumë parash, në shkelje të ligjit, lëvrohet në momentin që është firmosur kontrata dhe do të shpenzohen vetëm për 3 muaj punë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



