Tragjedia në Postribë, nëna e 24-vjeçares: Dhunohej nga bashkëshorti
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga tragjedia e rëndë në fshatin Domen të Postribës, ku humbën jetën një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur. Nëna e viktimës, Bleona Çelaj, ka deklaruar në polici se vajza e saj kishte kohë që përballej me dhunë nga bashkëshorti.
Megjithëse në gjendje të rënduar emocionale, ajo ka rrëfyer se familja kishte tentuar disa muaj më parë ta largonte 24-vjeçaren bashkë me fëmijët nga kjo situatë, por ajo kishte hequr dorë në momentet e fundit dhe kishte vendosur të qëndronte pranë bashkëshortit.
Sipas dëshmisë, Bleona kishte komunikim të kufizuar me familjen, pasi jetonte në Gjermani dhe nuk dispononte telefon celular. Marrëdhëniet mes dy familjeve përshkruhen si të ftohta dhe të tensionuara, një klimë që u reflektua edhe në momentet pas ngjarjes tragjike, përpara se të bashkoheshin për ceremoninë mortore.
Nga ana tjetër, bashkëshorti ka mohuar çdo konflikt në çift, duke deklaruar se nuk kanë pasur probleme, ndërsa gjendja e tij psikologjike raportohet të jetë e rënduar pas humbjes së familjes.
Megjithatë, pavarësisht pretendimeve për dhunë, grupi hetimor ka arritur në përfundimin paraprak se ngjarja ka qenë aksidentale. Sipas ekspertizës dhe provave të mbledhura në vendngjarje, dyshohet se një rrjedhje gazi nga bombola ka shkaktuar shpërthimin fatal.
Në banesën e djegur kanë ndërhyrë edhe ekspertë të specializuar nga Tirana, të cilët kanë analizuar situatën teknike. Prania e një shisheje benzine në ambient mendohet të ketë ndikuar në përhapjen e shpejtë të flakëve dhe intensitetin e shpërthimit.
Autoritetet kanë sekuestruar prova të rëndësishme materiale, përfshirë pjesë të bombolës së gazit dhe objekte të tjera të gjetura jashtë banesës, të cilat janë dërguar për ekspertizë të mëtejshme.
Në momentin e ngjarjes, nëna me dy fëmijët ndodheshin vetëm në banesën e braktisur, ndërsa bashkëshorti kishte dalë për të bërë blerje. Çifti ishte kthyer prej pak ditësh nga Gjermania, ku jetonin, ndërsa 24-vjeçarja ishte në proces dokumentacioni.
Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, por deri tani kanë përjashtuar kategorikisht pistën e vetëvrasjes apo ndonjë akti të qëllimshëm, duke e klasifikuar ngjarjen si aksident tragjik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



