Tragjike në Gjermani, humbin jetën 3 anëtarë të familjes shqiptare
Babai, djali dhe nipi po ktheheshin në Gjermani pas pushimeve në Kosovë, kur automjeti doli nga rruga dhe përfundoi poshtë një argjinature
Një aksident tragjik në Gjermani u ka marrë jetën tre anëtarëve të një familjeje nga Ferizaj i Kosovës.
Mediat vendase kanë publikuar identitetet dhe fotot e viktimave. Bëhet fjalë për Tahir Aliun, 61 vjeç, djalin e tij Gentian Aliun, 34 vjeç, dhe nipin Laurent Aliu, 16 vjeç.
Tre familjarët po udhëtonin drejt Gjermanisë, pasi kishin kaluar pushimet në Kosovë. Për shkaqe që ende nuk janë bërë të qarta, automjeti me të cilin po lëviznin ka dalë nga rruga dhe ka rrëshqitur poshtë një argjinature.
Përplasja ka qenë fatale për tre anëtarët e familjes, të cilët kanë mbetur të bllokuar brenda automjetit.
Operacioni i shpëtimit ka qenë veçanërisht i vështirë për shkak të pozicionit ku kishte përfunduar makina. Për nxjerrjen e viktimave nga automjeti është dashur ndërhyrja e një vinçi.
Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorisë së Regensburgut, është angazhuar një ekspert, i cili do të rindërtojë dinamikën e aksidentit dhe do të përpiqet të përcaktojë rrethanat që çuan në daljen e automjetit nga rruga.
Hetimet vijojnë për të zbardhur nëse aksidenti është shkaktuar nga ndonjë problem teknik, kushtet e rrugës apo ndonjë faktor tjetër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



