Tre kalorësit e asfaltit të florinjtë bëjnë xhiro me autobus në Dibër
Xhiro e parë me autobus në tunelin e Murrizit: Rama, Ulsi dhe Belinda 
Dibra sot gëzon! Pas dekadash premtimesh, më në fund, tuneli i Murrizit u hap për qarkullim. E kush më mirë për ta inauguruar se vetë kryearkitekti i autostradave me kosto sa yjet e qiellit, Edi Rama, i shoqëruar nga dy besnikët e tij – Ulsi Manja dhe Belinda Balluku?
Dhe çfarë feste! Xhiroja e parë me autobus qeveritar, një lloj karvani triumfi mbi gërmadhat e një Shqipërie që ende mezi mban frymën nga varfëria. Por mos u shqetësoni, se Dibra “e do shumë” – dhe me siguri, edhe ajo e di që këto punë bëhen me standardet më të larta të PPP-ve, 50 milionë euro për kilometër!
Në autobus, ndërsa Rama tundte dorën si Perandor i Rrugëve të Mbaruara Gjysmë, Belinda numëronte kilometra dhe miliona, Ulsi buzëqeshte me mirënjohje, dhe shoferi i shkretë lutjej që mos të hapej ndonjë gropë rrugës – jo për gjë, po se ndoshta nuk kishte fonde as për ndonjë riparim të vogël!
Por asgjë nuk prish festën! Të gjithë brohorasin, kamerat regjistrojnë dhe propaganda qeveritare çan nëpër ekranet televizive: “Rilindja nuk ndalet!” Dhe vërtet, nuk ndalet! Nëse ka ndonjë gjë që nuk i ndodh kurrë kësaj qeverie, është pikërisht ndalesa e betonizimit dhe faturave të fryra për çdo kilometër rrugë.
Gëzohu, Dibër! Se me tunelin e Murrizit nuk ke thjesht një rrugë të re – ke një monument të përjetshëm të mënyrës si ndërtohet sot në Shqipëri: me shumë miliona, me shumë propagandë, dhe me shumë pak shpresë për njerëzit e zakonshëm!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



