Trëndafili socialist me petale
Sot, në një akt të rrallë heroizmi, Forumi Rinor i Partisë Socialiste mbajti Kuvendin Kombëtar, duke u betuar solemnisht për fitoren e lavdishme të 11 Majit! Në këtë moment epik, një i ri socialist, i mbushur me zjarr revolucionar, mbajti një fjalim që do të mbetet në histori—ose të paktën në arkivat e memeve politike.
“Ne jemi petalet më të bukura të trëndafilit socialist!” shpalli ai me një patos që do ta bënte edhe Enverin të skuqej nga emocioni. Publiku brohoriti, socialistët e devotshëm fërkuan sytë nga lotët e lumturisë, ndërsa të gjithë menduan njëzëri: Ky po që është i përkushtuar!
Por fjalimi nuk ndaloi këtu. Jo, jo! Ai vazhdoi me një logjikë të hekurt që vetëm një mendje e kalitur në frymën e partisë mund ta ketë:
“Ne nuk ikëm, por qëndruam! Shqipëria sot nuk është një vend që duhet të ikësh!”
Po pra, të dashur lexues! Ai qëndroi! Ndërkohë që dhjetëra mijëra të rinj shqiptarë radhiten çdo ditë në ambasadat perëndimore me lot në sy dhe valixhet në dorë, ky i ri heroik vendosi të mos ikë! Jo sepse nuk e pranojnë për vizë, por sepse e do Shqipërinë! Madje aq shumë e do, sa edhe sikur të ikin të gjithë të tjerët, ai do të qëndrojë këtu, bashkë me administratën shtetërore dhe tenderat e saj të bekuar!
Dhe pastaj erdhi kulmi i fjalimit, pjesa që duhet të gdhendet në muret e Bashkisë së Tiranës:
“Ne punojmë! Ne luftojmë!”
Punohet vërtet, kjo s’ka dyshim. Punojnë SPAK-u, GJKKO-ja, punojnë gjykatat e burgjet që mezi po gjejnë vende për ish-kryebashkiakët socialistë. Punon edhe Shërbimi i Provës, sepse sa herë del ndonjë ministër me masë sigurie “arrest shtëpie”, ai duhet të bëjë një raport të ri!
Po luftohet gjithashtu! Luftohet për të mbajtur në këmbë tenderat e manipuluar, për të mbrojtur inceneratorët e shenjtë, për të ruajtur kullat që lindin si kërpudha pas shiut. Luftohet për të shpikur justifikime të reja sa herë që SPAK-u arreston ndonjë peshk të madh. Dhe mbi të gjitha, luftohet për të ruajtur të pastër imazhin e partisë—në Instagram dhe Facebook, sigurisht!
Në fund të ditës, ky fjalim ishte një moment i vërtetë frymëzimi. Një dëshmi që rinia socialiste nuk ka nevojë për fakte, por vetëm për besim! Sepse, siç thotë vetë partia, “E ardhmja është këtu!”. Vetëm se shumica e të rinjve zgjedhin ta shohin këtë të ardhme nga Londra, Berlini ose Kanadaja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



