Trump nuk heq dorë nga synimi për Greenlandën
Na duhet për sigurinë kombëtare
Reagime të forta në Evropë ndaj deklaratave për Groenlandën: BE dhe aleatët kundër çdo ideje aneksimi
Deklaratat e fundit të presidentit amerikan Donald Trump mbi nevojën e Shteteve të Bashkuara për të marrë Groenlandën kanë nxitur reagime të forta dhe të koordinuara në Evropë. Shtetet evropiane kanë shprehur unanimisht kundërshtimin ndaj çdo “fantazie aneksimi”, duke riafirmuar parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, në një intervistë për radion Deutschlandfunk, theksoi se e ardhmja e Groenlandës duhet të vendoset ekskluzivisht nga vetë Groenlanda dhe Mbretëria e Danimarkës. Ai shtoi se Bashkimi Evropian mbetet i palëkundur në mbrojtje të parimit të sovranitetit territorial. Wadephul pranoi se, brenda kuadrit të NATO-s, mund të diskutohen çështje të sigurisë në rajonin e Arktikut me SHBA-në, por pa cenuar integritetin territorial të vendeve aleate.
Edhe kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar qëndron në krah të Danimarkës, ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze shprehu të njëjtin qëndrim.
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reagoi përmes një postimi në Facebook duke theksuar se kërcënimet, presioni dhe thashethemet për aneksim “nuk kanë vend mes miqve”.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur ditët e fundit se SHBA-të “kanë nevojë për Groenlandën” për arsye të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes. Ai ka deklaruar se Danimarka nuk do të ishte në gjendje ta garantonte këtë siguri, duke lënë të hapur edhe mundësinë e përdorimit të mjeteve ushtarake.
Bashkimi Evropian reagoi zyrtarisht duke riafirmuar parimin e integritetit territorial. Një zëdhënës i Komisionit Evropian në Bruksel deklaroi se respektimi i sovranitetit të vendeve është një detyrim themelor dhe se BE do të mbrojë këto parime universale.
Kryeministri i Groenlandës, Nielsen, theksoi se vendi i tij është i hapur për dialog, por vetëm përmes kanaleve të duhura dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ndërsa kryeministrja daneze Mette Frederiksen u shpreh prerë se “nuk ka asnjë kuptim të flitet për marrjen e Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara”. Ajo deklaroi se SHBA-të “nuk kanë të drejtë të aneksojnë asnjë nga tre territoret e Mbretërisë së Danimarkës”, duke iu referuar Danimarkës, Groenlandës dhe Ishujve Faroe.
Tensionet u rindezën edhe pas një mesazhi në rrjetet sociale nga rrethi i brendshëm i administratës amerikane, ku gruaja e zëvendësshefit të Shtabit të Trump-it, Stephen Miller, publikoi një hartë të Groenlandës të ngjyrosur me flamurin amerikan dhe shënimin “së shpejti”. Nielsen reagoi ashpër duke deklaruar se “Groenlanda nuk është për shitje dhe e ardhmja jonë nuk vendoset nga postimet në rrjetet sociale”.
Në mbështetje të Danimarkës dolën edhe vendet skandinave. Kryeministrat e Suedisë dhe Norvegjisë, si dhe presidenti i Finlandës, shprehën publikisht solidaritetin e tyre. Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre shkroi se Groenlanda është pjesë integrale e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa kryeministri suedez Ulf Kristersson theksoi se vetëm Danimarka dhe Groenlanda kanë të drejtë të vendosin për çështjet që i prekin. Edhe presidenti finlandez Alexander Stubb deklaroi se askush tjetër nuk mund të vendosë për Groenlandën dhe Danimarkën.
Groenlanda është territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, me të drejtë vetëqeverisjeje, ndërsa politika e jashtme dhe mbrojtja mbeten kompetencë e Kopenhagës.
Përshtatur / DW)
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



