Trump shpalli mbylljen e hapsirës ajrore, reagon menjëherë Maduro
Venezuela ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërkoi që hapësira ajrore mbi dhe rreth vendit të konsiderohet e mbyllur.
Qeveria e Nicolás Maduro-s e cilësoi këtë qëndrim si një “kërcënim të organizuar kolonial”, duke theksuar se deklaratat e Trump-it cenojnë sovranitetin e Venezuelës dhe bien ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Paralajmërimi i presidentit amerikan u publikua më herët në Truth Social, ku Trump shkroi: “Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, trafikantët e drogës dhe trafikantët e njerëzve, ju lutem konsideroni HAPËSIRËN AJRORE MBI DHE RRETH VENEZUELËS TË MBYLLUR PLOTËSISHT.”
Sipas administratës amerikane, ky vendim lidhet me operacionet e intensifikuara kundër rrjeteve të trafikut të drogës që, sipas Uashingtonit, mbështeten nga regjimi i Maduro-s. Në muajt e fundit, SHBA ka shtuar presionin ndaj Karakasit, ndërsa prania ushtarake në rajon vijon të rritet.
Ndërkohë, Trump ka lënë të paqartë nëse SHBA do të ndërmarrë sulme direkte ndaj Venezuelës. Megjithatë, ai ka nënkuptuar se mund të ketë së shpejti zgjerim të operacioneve kundër anijeve të dyshuara për transport droge, përfshirë edhe mundësi veprimesh tokësore, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



