E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
U ngopëm me retorikë boshe zoti Basha
Publik News

U ngopëm me retorikë boshe zoti Basha

Nuk kam gjë fare me këtë unë, se fundja nuk kam pas, e as kam ndonjë pritshmëri prej tij që nga çadra e këtej.
E vetmja arsye pse shkruaj ndonjëherë është se më duket fyerje e madhe për trurin retorika (gënjeshtra) e këtij.
Paragrafi i më poshtëm, thënë në ligjëratë të drejtë nga Luli:
1-Zgjedhjet janë vjedhur.
2-Nuk ka bashkëpunim me Rama-Doshi.
3-Integrimi europian është cënuar.

I marrim me radhë.

1-Po, zgjedhjet janë vjedhur. Por, zgjedhjet nuk vidhen kurrë në atë mënyrë sa të deformojnë rezultatin përfundimtarë kaq dukshëm nëse opozita (Luli) do të kishte krijuar frymën dhe besimin e duhur. Pasi, nëse dilnin në votime 55-60% e shqiptarëve, po t’i besonin Lulit, nuk kishte deformim në botë që pengonte ndryshimin.
Pse nuk krijoi frymë kurrë?
Ua ngrinte pretendimet mbështetësve në qiell dhe tërhiqej me bisht ndërshalë me një telefon ambasadash, apo me një shkelje syri nga kundërshtari.
Të gjitha aksionet opozitare i la në gjysëm. Nga të gjitha betimet politike, kujtoni Xhafaj, Ruçi që s’do e linte të bëhej kryetar parlamenti, teatrin që s’do e linte të shembej dhe iku në shtëpi në orën që erdhi fadroma, shtëpitë e Astirit që nuk do i linte të prekeshin, trau në rrugën e kombit…etj, etj.
Këto janë disa nga arsyet pse ai nuk krijoi frymë dhe shumica e shqiptarëve e panë me dyshim. Kujtoni atë që thoshte për Ramën, më gënjeve njëherë, dy, tre…
Nga krahu tjetër gënjente vetë sa herë fliste. Njerëzit mund të mos dinë t’i artikulojnë e shkruajnë gjërat në masë të gjerë, por nuk i mungon kurrë aftësia për të kuptuar kur dikush gënjen.
Dhe e fundit, gjatë fushatës tha dhe përsëriti me forcë, kësaj radhe nuk ka asnjë shans të më vjedhi votat Rama pasi ne kemi ngrit një strukturë për të mbrojtur votën, dha garanci për këtë, deklaratat janë publike. Tani thotë i vodhi, atë strukturën dhe ato garancitë nuk i përmend fare më.

2-Në fillim ishte trinom, Rama-Doshi-Rakipi, pa u kuptuar fare, pa dhënë asnjë shpjegjm e hoqi nga diskuri njërin emër. Pse?
Doshi dihet që garoi me parti më vete dhe nuk ka çfarë i kërkon PS si llokmë nëse ajo nuk e fton për bashkëqeverisje. I vetmi që rritet faktorizohet si emër dhe rrit pretendimet ndaj forcës së tij politike në këtë rast është Rakipi, sespe është pjesë e PS, ka garuar me atë sigël, ka marrë shumë vota, shto këtu sikur të vazhdonte edhe Luli sulmet, atij do t’i rritej pesha brenda PS dhe kërkesat. Pasi dihet se sulmet e kundërshtarit në të shumtën e rasteve e forcojnë individin në kahun tjetër politik. Mbase PS-ja nuk do që atij individi t’i japë peshë specifike brenda partisë më shumë se çduhet dhe Luli ndali sulmet ndaj emrit të tij. Mundet? Pse mos të mundet, me Lulin gjithçka mundet.
Dhe vijmë te tjetra, asnjë nga rivalët e Lulit nuk ka dhënë prova se bashkëpunon me Ramën, pasi nuk janë provuar fare, i vetmi që është provuar se bashkëpunon me të, është Luli. E ka bërë 2017, edhe dyshohet se e bën herë pas here.

3- Integrimi, ndërkombetarët etj, etj.
Asnjë faktor ndërkombëtar nuk ka folë për zgjedhje të vjedhura, të gjithë unanimisht kanë bërë thirrje që të njihen zgjedhjet si të rregullta. Luli këtu gënjen.

4- E fundit si për konkluzion. Në gjithë diskurin e tij thotë që zgjedhjet nuk do njihen. Por, nuk ka idiotë në dynja, përveç mbështetësve të tij personalë të mos kuptojë se, të mos njohësh zgjedhjet do të thotë e barabartë me mosnjohjen e parlamentit të dalë nga këto zgjedhje, rrjedhimisht të mos shkohet në parlament në shtator. Luli kurrë, në asnjë vend, fjalinë “nuk njoh zgjedhjet” nuk e plotëson me pjesën që i shkon kësaj fjalie, mos vajtjen në parlament. Pra është duke gënjyer vendshe. Për këtë nuk e pyet asnjë gazetar pasi ai nuk shkon në asnjë studio. Ky njeri pretendon se është mentalitet perëndimor, demokrat e bla-bla-bla. Por fakti është se ka humbur 5 palë zgjedhje dhe nuk jep dorëheqje siç bëjnë liderët në perëndim kur humbasin, tregon se ai nuk është perëndimor, gënjen.
Fakti është se nën drejtimin e opozitës prej tij, kundërshtari ka hyrë në histori pa bërë asnjë punë, por thjesht duke fituar mandatin e tretë, për herë të parë kjo në historinë e pluralizmit në Shqipëri.
Gjithashtu, fikja e shpresës, eksodi i madh i shqiptarëve drejt perëndimit këto vite, përveç faktit të një qeverie të keqe, ka ardhur edhe prej mungesës totale të shpresës te opozita. Shpresa e çdo vendi demokratik, morali i çdo vendi demokratik, fryma kundër korrupsionit në çdo vend demokratik, është opozita.
Nëse opozita e Lulit do kishte qenë shpresë, shembull ndershmërie, inspiruese në frymë, shqiptarët nuk do të iknin, por do të rrinin këtu, do të dilnin në votime dhe do të rrëzonin pushtetin.
Njeriu nuk do të futej kurrë në një tunel në qoftë se nuk do ta dinte paraprakisht se vetë kuptimi i fjalës tunel do të thotë që dikur, në fund, sado i gjatë e i errët qoftë, ka një dritë, në të kundërt nuk do quhej tulel, por thjesht një pus.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.